2013-01-02 16:23:30

Patriku Bartolomeu I e shpall Vitin 2013, Vit i solidaritetit universal.


Patriku ekumenik ortodoks i Kostandinopojës e shpalli vitin 2013, Vit i solidaritetit universal. Në një kohë të prekur nga kriza e rëndë fianciare, që po e trondit seriozisht paqen shoqërore, lexojmë në mesazhin drejtuar nga Patriku besimtarëve me rastin e Krishtlindjes, shpresojmë se do të mund t’i sensibilizojmë shumë zemra të bashkësisë njerëzore lidhur me problemin e varfërisë së pamasë e me nevojën e marrjes së masave për të lehtësuar gjendjen e të uriturve e të të varfërve.
Në mesazh, Patriku ortodoks kujton edhe se Perandori Kostandin, përmes Ediktit të Milanos të vitit 313 pas Krishtit, dekretoi ushtrimin e lirë të fesë së krishterë e, njëkohësisht edhe atë të të gjitha feve të tjera. Për fat të keq sot, pas 1700 vjetësh, nënvizon Bartolomeu I, në shumë vende të botës vijojnë persekutimet fetare, posaçërisht kundër të krishterëve ose pakicave të tjera. Paralelisht, vëren, antagonizmat ekonomike thellohen globalisht e etja për fitime sundon mbi të mirën e përgjithshme. Kjo mungesë ekulilibri ka si pasojë të trishtueshme mbipërqendrimin e pasurisë në pak duar. Ta nxisim, prandaj, njëri-tjetrin, shkruhet në mesazh, që gjatë këtij viti të solidaritetit universal, të bëjmë, si individë e si popuj, përpjekje të vetëdijshme për t’i zbutur pasojat çnjerëzore të pabarazive të mëdha si dhe për njohjen e së drejtës të më të ligshtëve që të plotësojnë nevojat më të domosdoshme për jetën e njeriut. Në këtë mënyrë do të bëjmë ç’ është e mundur për realizimim e paqes mbi tokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.