2013-01-02 15:06:25

Papa në audiencën e përgjithshme: duhet të kemi gjithnjë besim në Zotin, edhe në mes të vështirësive më të mëdha; feja është lindje e dytë.


Prejardhja e Jezusit ishte sot në qendër të vëmendjes në katekizmin e Benediktit XVI, mbajtur gjatë audiencës së parë të përgjithshme të vitit të ri 2013. Jezusi, me origjinë është nga Nazareti, ka lindur në Betlehem, por zanafilla e Tij e vërtetë, pohoi Papa, është Ati: ai është Biri i vetëm i Atit, vjen nga Hyji. Lindja e Zotit, shtoi, ndriçon përsëri me dritën e vet errësirën, që shpesh e mbështjell botën tonë e zemrën tonë, duke na sjellë shpresë e gëzim.

Në këtë Kohë të Krishtlindjes, kujtoi Benedikti XVI, kremtojmë misterin e madh e tronditës të Birit të Hyjit që, për virtyt të Shpirtit Shenjt, u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari:
“E ky është kumt, që tingëllon përherë i ri e i mbush me shpresë e gëzim zemrat tona, sepse na sjell gjithnjë sigurinë se, sado të ligshtë të jemi, sado të varfër, të paaftë përballë vështirësive e së keqes, që na sulmon nga të katër anët, pushteti i Zotit nuk vonon të veprojë e të krijojë mrekulli, pikërisht nga ligështia”.
Hyji zgjodhi Marinë, një vashë të përvuajtur, banore e një fshati të humbur bote, në një provincë tejet të largët të Perandorisë së pafundme romake. Pa të, nënvizoi Benedikti XVI, hyrja e Hyjit në historinë e njerëzimit nuk do t’ia kishte mbërrijtë qëllimit. Nganjëherë edhe në udhën e fesë, shtoi Ati i Shenjtë, mund të vërejmë sa të varfër jemi, e sa të padenjë për të dhënë dëshminë, që pret bota nga ne. Por edhe atëherë kur duket se do të mposhtemi nga dallgët e jetës, nuk jemi vetëm:
“Përherë, edhe në mes të vështirësive më të mëdha për t’u përballuar, duhet të kemi besim të patundur në Zotin, ashtu si Maria, e duhet të jemi të bindur se Ai është i pranishëm në historinë tonë, se vepron në të. S’ka gjë të pamundur për Zotin! Me Të, jeta jonë ecën përherë mbi një truall të sigurtë. Para saj hapet gjithnjë ardhmëria e shpresës së patundshme”.
Sa herë themi Besojmën, pra sa herë e dëshmojmë fenë tonë, kujtoi Papa, përsërisim këto fjalë: “Për virtyt të Shpirtit Shenjt u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari”:
“E kur e shqiptojmë këtë frazë, ulim kokën, sepse veli, që fshihte Hyjin, thënë simbolikisht, hapet, e misteri i tij i pamatshëm e i padepërtueshëm na prek: Hyji bëhet Emmanueli, Zoti me ne!”.
Feja, shpjegoi Papa, na e mbush shpirtin me frymë të re aq, sa të krijojë një lindje të re. Në të vërtetë, në zanafillë të fesë së krishterë është Pagëzimi, dhuratë, që na jepet falas e na bën të rilindim si bij të Hyjit:
“Vetëm në se ia hapim zemrat veprimit të Zotit, si Maria, vetëm në se e lëshojmë gjithë jetën tonë në dorë të Zotit, si në dorë të një miku, të cilit i besojmë plotësisht, gjithçka ndryshon, jeta jonë fiton një kuptim të ri e një fytyrë të re, atë të birit të një Ati, që e do e nuk e braktis kurrë!”.
Duke përshëndetur shtegtarët në gjuhën italiane, Papa uroi që të rinjtë ta shikojnë çdo ditë të vitit 2013 si dhuratë e Zotit; të posamartuarit të realizojnë një bashkim të vërtetë jete e dashurie e që Viti i Ri t’u sjellë të sëmurëve lehtësim në korp e në shpirt.









All the contents on this site are copyrighted ©.