Ja, Viti i Ri shtigje të reja na hap përpara, e ecim, pa ditur ku shkojmë, e
presim plot shpresë ditët e reja. Ç’na pret këtë vit, o Zot? Si do t’i
prijmë karvanit të gjatë të ditëve e grigjës së zezë të netëve? Ç’do të na
dhurojnë? E sidomos çfarë kanë ndër mend të na mohojnë?
Veç ti e di, o Zot, prandaj
na fol, e zemrat do t’i hapim për të pritur Fjalën tënde, si pritet drita në
terr e zjarri në vatër të fikun. Na fol, sidomos, në të ftohët e nëpër natë, që
shtigjeve të këtij viti të vështirë të ecim me kujdes, për të parë në to shenjat
që Ti na kumton, për të shkelur mbi gjurmët e Tua: për të gjetur shenjat
e shpresës sate, të mirësisë, të paqes, të dashurisë. E drita jote të na ndrisë, kur
të bëhet natë. Me ty do të ecim përsëri, deri te drita e ditës së re, e
Vitit tjetër të Ri.