2013-01-02 09:26:37

Më 2 janar kalendari kujton shën Bazilin e Madh e shën Gregorin Nazianzenin


Kalendari kishtar i 2 janarit përkujton shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanzienë, ipeshkëvijë e doktorë të Kishës.
Sot me 2 janar Kisha përkujton dy figura të mëdha të krishtërimit lindor: Shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanxienë, miq të mëdhenj, që të dy ipeshkvij, mbrojtës të fesë dhe ripërtëritës të Kishës së asaj kohe.
I pari njeri i veprimit, i dyti i adhurimi dhe i meditimit, por dy miq sikur të ishin një shpirt i vetëm në dy trupa. Kështu mund të përshkruhen karakteret dhe marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shenjtërve të kishës së hershme.
Basili kishte lindur në 429 në Çesarè të Kapadocies, kurse Gega në 430 në Nazanxë. Miqësia e lidhur që në adoleshencë ndërmjet këtyre dy shejtërve u thellua më tej gjatë studimeve në Athinë. Qysh në atë kohë respekti që kishin për njëri-tjetrit ishte i atillë saqë Gega shkruante: “Na shtynte e njëjta dëshirë për të nxënë [...]e pra midis nesh nuk kishte cmirë. Përkundrazi çmonim stimulimin. Gara jonë ishte kjo: jo kush do të dilte i pari, por kush do t’i mundësonte tjetrit të ishte i pari.”
Bazili mbetet i mrekulluar nga jeta mungare dhe në moshën 28-vjeçare vendos të bëhet vetë murg, duke themeluar edhe Rregullën e Shën Bazilit, e pranishme në Shqipëri që nga shekulli 17 e me ndërprerje deri edhe sot.
Kurse Gega, i prirë më tepër për një jetë meditimi shugurohet meshtar nga i jati, që ishte ipeshkëv i Nazanxës. Dhjetë vjetë më vonë do të jetë Bazili, tashmë ipeshkëv i Çesarèsë, miku i tij i vjetër, ai që do ta shugurojë ipeshkëv Gegën.
Janë kohë të vështira për Kishën, kur herezia ariane po dëmton grigjën e Zotit. Bazili përballet me guxim jo vetëm me herezitë por edhe vetë autoritetet. Perandorit Valent, ndjekës i Arit, i cili e kërcënon për qëndrimin rebel që po mban, Bazili ipeshkëv i përgjigjet: “Mbase nuk je ndeshur kurrë me një ipeshkëv.”
Bazili ndërroi jetë në vitin 379 ndërsa Gregori 10 vjet më vonë.
Shën Gregori ka rëndësi për historinë e kombit dhe të Kishës shqiptare sepse në veprën e tij “Fjalimi kundër Arianizmit” na informon se rreth vitit 44 pas Krishtit Shën Andreu apostull përhapi ungjillin në Greqi dhe Epir, i cili aso kohe përfshinte Janinën, Delvinën, pjesën jugore të Vlorës dhe pjesën veriore të Trikalisë. (Shih: “Dizionario della Storia Ecclesiastica”, Moroni, vol. 21,22, fq 307.)







All the contents on this site are copyrighted ©.