2013-01-02 13:02:56

Krishtlindja me Papën: “Mbytja e fëmijëve të pafajshëm” .


Sot, në rubrikën 'Krishtlindje me Papën', duke shfletuar veprën “Fëmijëria e Jezusit”, në qendër të vëmendjes, fëmijët e pafajshëm, të masakruar nga Herodi, në sa Familja Shenjte ikte në Egjipt. Mateu e përfundon përsëri rrëfimin mbi këtë ngjarje, me një fjalë profetike, këtë herë të shkëputur nga Libri i Jeremisë Profet:“Një zë dëgjohet në Ramë, vajtim e gjëmë e dënesë; vajton Rakela të bijtë e s’gjen ngushëllim, pse ata s’ janë më” (Mt 2,18; Jer.31,15).
Tek Jeremia këto fjalë ngërthehen në kontekstin e një profecie plot gëzim e shpresë, përmes së cilës profeti kumton rindërtimin e Izraelit: “Ai, që e treti Izraelin, Ai e mbledh, e e ruan si bariu grigjën. Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin, e çliroi nga dora e më të fortit” (Jer31,10s).
I tërë kapitulli ka shumë mundësi t’i përkasë periudhës së parë të veprës së Jeremisë kur, nga njëra anë, perëndimi i mbretërisë asire, e nga tjetra, reforma kultuale e mbretit Jozia, ringjallnin shpresat për ringritjen në këmbë të Mbretërisë së Veriut, Izraelit, ku fiset e Jozefit e të Beniaminit, bij të Rakeles, kishin lënë gjurmë të thella. Tek Jeremia, vaji i stërgjyshes ndiqet menjëherë nga një fjalë ngushëlluese: “Ndale vajin, e teri lotët prej syve, pse ka një shpërblim për mundimet tua; ata do të kthehen nga vendi armik; e ka edhe shpresë për pasardhësit e tu, bijtë e tu do të kthehen në troje të veta” (31,16).
Tek Mateu gjejmë dy ndryshime, në krahasim me profetin: në kohën e Jeremisë, varri i Rakeles lokalizohej pranë kufirit drejt mbretërisë së Veriut, zonë e fiseve të bijve të saj, krejt pranë vendit ku kishte lindur profeti. Ende në epokën e Besëlidhjes së Vjetër, lokalizimi i varrit u zhvendos drejt jugut, në zonën e Betlehemit, e atje gjindej edhe për Mateun.
Modifikimi i dytë është ai i profecisë ngushëlluese të rikthimit. Ungjilltari e shlyen ngushëllimin, duke lënë vetëm vajin. Nëna nuk gjen ngushëllim. Për Mateun, vajtimi i nënës është britmë drejtuar vetë Hyjit, që e premtoi, por nuk e dha ngushëllimin e vet, duke i lënë njerëzit të përlotur, në një pritje të pafundme. Kob e britmë, së cilës vetëm Ai mund t’i përgjigjet. Nëna nuk ngushëllohet me fjalë. I vetmi ngushëllim për të do të ishte ringjallja e të bijve. Vetëm ringjallja e tyre do ta shlyente padrejtësinë, do ta davariste lajmin e hidhur: “Nuk janë më!”.
Në epokën tonë historike mbetet aktuale britma e nënave. Ato vijojnë të shtrijnë dorën për lëmoshën e jetës së bijve. Historia tragjike e mbytjes së fëmijëve të pafaj, që e mbushi vendin me vaj e dihamë nënash, është histori e përleshjes së paprerë ndërmjet errësirës e dritës, ndërmjet pushtetit tokësor e atij shpirtëror, ndërmjet veprës së Zotit e asaj të djallit: është historia e Kishës dhe e krishterimit. Britma vijon, por s’është më pa ngushëllim. Ngjallja e Zotit na jep shpresën e ngushëllimit të vërtetë. Vuajtja, persekutimi e deri vdekja fizike për ta dëshmuar Krishtin Zot e për dashuri të Tij, u shndërrua, që atë ças e tutje, në brohoritje gëzimi. Të pafajtë bëhen pionierë të asaj ushtrie, për të cilën vdekja është çlirim, jo gjëmë; fat, jo tragjedi.
Edhe fragmenti i fundit i rrëfimit mbi fëmijërinë e Jezusit, sipas Mateut, kujton Benedikti XVI, përfundon përsëri me një citim për përmbushjen e premtimit. Duket në plan të parë figura e Jozefit. Dy herë merr urdhër, në ëndërr, e në këtë mënyrë, në të shikojmë njeriun e aftë për të dëgjuar e për të dalluar, për t’u nënshtruar por edhe për të vepruar. Më parë i thuhet se Herodi kishte vdekur e, prej këndej, kishte ardhur koha e kthimit. Ky kthim paraqitet me një farë solemniteti: “Hyri në tokë të Izraelit” (2,21).
Por menjëherë ballafaqohet me gjendjen tragjike të këtyre trojeve në këtë çast historik. Sapo shkel në vend, mëson se mbi Judën sundonte Arkelao, më mizori i bijve të Herodit. Nuk mund të shkojë, prandaj, në Betlehem, vendbanim i familjes së Jezusit. Porositet, në ëndërr, të shkojë në Galilé. E ai niset menjëherë. Jo vetëm pse vendi ishte nën Antipën, sundimtar më pak mizor se Arkelao, por kryesisht pse prejardhja e Jezusit nga Galileja përkonte me profecinë e Izaisë (8, 23-9,2), sipas së cilës atje, në tokën e hijes së vdekjes, do të lindte “drita e madhe”. Për popullin, që shtegtonte në terrina, atje do të zbardhte drita, në mbretërinë e dikurshme të veriut, në trojet e Zábulonit e të Nèftalit (cfr Mt 4,14-16).
Kështu Izaia profet, ndërsa Mateut i duhet të sqarojë një vërejtje edhe më konkrete: “Për Nazaretin nuk kishte asnjë profeci, prandaj prej aty nuk mund të dilte Shëlbuesi (cfr Gjn 1,46). Kësaj vërejtjeje Ungjilli i përgjigjet me fjalët: “Jozefi shkoi të banonte në një qytet, të quajtur Nazaret, që të plotësohej çka ishte thënë me gojën e profetit: “Do të quhet Nazoreo”(Mt 2,23). Me këtë të dhënë historike, Mateu dëshmon se Jezusi ishte trashëgimtar i premtimit. Në ndryshim nga citimet e mëparshme të profecive të veçanta, këtu Mateu nuk ndalohet tek ndonjë shprehje e posaçme e Shkrimit Shenjt, por mbështetet mbi të gjithë profetët. Shpresa e tyre përmblidhet pikërisht tek ky titull i Jezusit: “Nazoreo”.







All the contents on this site are copyrighted ©.