2013-01-01 16:35:57

O Zot, më ndihmo të bëhem ashtu si ty të pëlqen!


O Zot, vetëm një gjë të kërkoj e për një gjë të lutem
Nuk dua të më tregosh, o Zot,
sesi do të jetë e nesërmja,
e as në se ëndrrat
do të mbeten ëndërr
apo do të bëhen jetë.
Në se fara e hedhur
nëpër hullitë e ditëve
do të lulëzojë,
apo do të kalbet pa mbirë?
E ditë e farë do të vdesin
njëherësh me shpresën?
Veç ti e di në se do ta korr
farën që hodha.
Apo në të korra,
korrësi nuk do t’ia dijë
se ç’bëri ai që mbolli?
Po t’i mblatoj, o Zot,
të gjitha thesaret,
që ndryhen në ditët e mia:
gjumin e netëve e dritën e ditëve
kur në sofër ulem bashkë me të mitë,
për të thyer bukën,
për të pirë kupën,
herë me verë
e herë me vrer!
Vetëm një gjë të kërkoj.
Veç për një gjë të lutem:
Zoti im, mos më lësho
kur fryn e shfryn stuhia!
Por edhe atëherë,
kur dielli ndrin mbi ditë
e hëna përmbi net.
Më ndihmo të bëhem
ashtu si ty të pëlqen.
Rrënjët t’i lëshoj mbi Shkëmb!

Kryeviti

Mos prit nga unë,
Zoti yt,
që të hapi dyert e thesareve.
Por në se dëshiron,
do të mësoj udhët e takimit;
me to, edhe ato të mahnitjes,
të së papriturës.
Atëherë, ndoshta, do të nxësh
se s’ jam gjithnjë
atje ku më pret!
Kur ti mendon se më gjete,
Unë jam gjetiu!

Jam tjetri,
krejtësisht Tjetri.
Edhe në muzg të jetës,
kur ti mendon se ke thënë gjithçka,
do të të zbuloj mundësi të reja!
Të presin ende përpara,
se shtigjet nuk kanë fund!

Në se kalon përmes natës,
do të zbulosh një qiell plot yje:
hapësirë ku s’mund të shkelësh,
animi drejt Absolutit,
që të vë për udhë.
E hijen do t’ia shohësh
në mes të hënës së plotë,
në zhumhurin e valëve,
e në vallen e yjeve!
Ylli ikën larg ligësisë,
lë pas Kashtën e Kumtrit,
udhë e bardhë si qumështi,
në univers pa anë,
ku ndizen të gjitha flakët:
flakë vatrash e flakë zemrash
që Hyjin kanë për Zot!
Ai sot përpara teje
po hap një fletë të re, në kalendarin e kohëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.