2013-01-01 16:34:02

Në Engjëllin e Tënzot, Papa bekon gjithë gratë e burrat e botës.


Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Me këtë urim e filloi sot Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 janarit 2013. Në këtë ditë të parë të Vitit të Ri, tha në vijim, dëshiroj të arrijë tek çdo burrë e çdo grua, kudo në botë, bekimi i Zotit. E Ati i Shenjtë e bëri këtë me formulën e lashtë të Shkrimit Shenjt: “Zoti të bekoftë e të ruajtë! E sjelltë fytyrën e vet kah ti e të dhëntë paqe” (Nm 6,24-26).
Ashtu si drita e ngrohtësia e diellit janë bekim për tokën, kështu është edhe drita e Hyjit për njerëzimin, kur fytyra e Tij ndriçon dheun. E ky ndriçim u derdh pa kursim mbi botën me lindjen e Jezu Krishtit. Hyji na ndriçoi me fytyrën e tij, në fillim përvujtërisht, në heshtje të plotë, në një skutë të fshehur, në Betlehem. E vetëm Maria, Jozefi e disa barinj qenë dëshmitarë të kësaj zbulese. Por pak nga pak, vijoi të kujtojë Papa, ashtu si dielli që nga agimi mbërrin në mesditë, drita e Krishtit shpërtheu e u përhap në të katër anët. Sa jetoi mbi tokë, Jezusi i Nazaretit e bëri fytyrën e Hyjit të ndrisë mbi Tokën Shenjte; e pastaj, përmes Kishës së frymëzuar nga Shpirti Shenjt, e shtriu mbi të gjithë njerëzit ungjillin e Tij të paqes.
“Lumni i qoftë Hyjit në lartësi të qiellve e paqe në tokë njerëzve, që ai i ka për zemër”(Lk 2,14). Kështu kënduan engjëjt Natën e Krishtlindjes, e kështu vijojnë të këndojnë të krishterët nën të gjithë qiejtë. Prandaj, tetë ditë pas Krishtlindjes, kur Kisha, si Virgjëra Nënë, Maria, i tregon botës Jezusin e posalindur, Princin e paqes, kremtojmë Ditën Botërore të Paqes. Po, ky Fëmijë, që është Fjala e mishëruar e Zotit, erdhi t’i sjellë njerëzve një paqe, që bota nuk mund ta japë (cfr. Gjn 14,27). Misioni i Tij është të shembë murin e armiqësisë. E, kur në brigjet e liqenit të Galilesë, Ai shpall ‘Lumturitë’, ndërmjet tyre është edhe “Lum veprimtarët e paqes, sepse do të thirren bij të Hyjit”(Mt 5,9). Po kush janë veprimtarët e paqes – pyeti Papa:
“Janë të gjithë ata, që ditë për ditë përpiqen të fitojnë mbi të keqen me të mirë, me forcën e së vërtetës, me armët e lutjes e të faljes, me punë të ndershme, të bërë mirë, me kërkim shkencor në shërbim të jetës, me vepra mëshire fizike e shpirtërore. Veprimtarët e paqes janë të shumë, por nuk bëjnë zhurmë. Ashtu si tharmi në brumë, e rrisin njerëzimin, sipas Planit të Zotit”.
Benedikti XVI nënvizoi se është shumë e rëndësishme të kalohet nga fjalët, tek faktet. Kërkoi, prandaj:
“Një këngë e cila, nga zemrat e buzët, kalon në gjeste konkrete, në vepra dashurie, që krijojnë dialog, mirëkuptim, pajtim”.
Më pas, lutja e Benediktit XVI drejtuar Marisë, me shprehje të thjeshta, por tejet kuptimplote:
“Në këtë lutje të Engjëllit të Tënzot për vitin e ri, t’i kërkojmë së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, të na bekojë, si nëna fëmijët kur nisen për udhë. Një vit i ri është si shtegtim: me dritën e hirin e Zotit, mund të jetë shtegtim paqeje për çdo njeri e çdo familje, për çdo vend e për mbarë botën”.
Në përfundim Papa përshëndeti autoritetet, që i drejtuan mesazhe urimi, kujtoi posaçërisht të rinjtë e Tezesë, mbledhur në Romë për takimin e lutjes së fundvitit. E pastaj u shprehu afërsinë shpirtërore nismave kishtare me rastin e Ditës Botërore të Paqes, posaçërisht Marshimit Kombëtar të Leçes, Festës së organizuar nga Shën Egjidi në Romë, pjesëmarrësve në natën e lutjes, organizuar nga Lëvizja e Dashurisë Familjare në Sheshin e Shën Pjetrit e sa e sa nismave të tjera, në të katër anët e Italisë e të botës:
“Të gjithëve ju uroj paqe e të mira për çdo ditë të Vitit të Ri!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.