2013-01-01 17:09:51

Më 2013, takimi i Taizé-së do të mbahet në Strasburg


Strasburgu, seli e Parlamentit Evropian, e Këshillit të Evropës dhe e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, do të presë në fund të këtij viti, takimin e ardhshëm të Taize-së “Shtegtim i besimit në tokë”. Lajmin e dha eprori i Bashkësisë ekumenike, frère Alois, i cili kujtoi se Strasburgu është qytet ndërmjet dy vendeve, simbol i pajtimit në Evropë.
Që nga data 28 dhjetor e deri më sot, të rinjtë e Taizé-së, ndërmjet të cilëve edhe rreth 50 shqiptarë, u mblodhën në Romë për t’u lutur së bashku me besimtarët e qendrës së krishterimit. Kulmi i veprimtarive të tyre qe takimi me Papën, më 29 dhjetor, në sheshin e Shën Pjetrit, gjatë të cilit u vu në dukje se të krishterët, para se të jenë të bashkuar e të bërë një, ashtu siç i deshi Krishti, duhet të jenë të pajtuar në shpirt e të bindur se ndarjet ndërmjet ndjekësve të Jezusit nuk janë dallime të rëndësishme.
45 mijë të rinjtë, ortodoksë, katolikë e protestantë, e dëshmuan më së miri këtë, gjatë këtij takimi të Romës, e cila e pret për të katërtën herë Bashkësinë e Taizé-së. Pas kësaj përvoje në Qytetin e Amshuar, të rinjtë kthehen nesër në shtëpitë e tyre, ku do të vazhdojnë të përhapin frymën e bashkimit ekumenik, karakteristik për themeluesin e Bashkësisë, frère Roger Schutz.







All the contents on this site are copyrighted ©.