2013-01-01 16:35:24

Krishtlindja me Papën: “Ikja në Egjipt dhe kthimi në tokën e Izraelit” .


Pas përfundimit të rrëfimit mbi Mbretërit, në skenë hyn përsëri Jozefi, na kujton Benedikti XVI në veprën “Fëmijëria e Jezusit”. E në sa ne arrijmë në emisionin e 24-t, Familja Shenjte ndodhet para një tragjedie të vërtetë. Prej këndej, gjithnjë në ëndërr, Jozefit i kërkohet të ngrihet shpejt e shpejt, të marrë Foshnjën dhe Nënën e tij e të ikë në Egjipt, deri në një urdhër të ri. E kjo, sepse Herodi po e kërkonte Foshnjën për ta mbytur” (Mt 2,13).
Në vitin 7 para Krishtit, Herodi kishte mbytur bijtë e tij Aleksandrin dhe Aristobulin, nga frika se mund t’i rrëmbenin pushtetin. Në vitin 4 para Krishtit zhduku edhe djalin tjetër, Antipatrin (cfr Stuhlmacher, Die Geburt des Immanuel, fq.85). Për të, gjëja më e rëndësishme ishte pushteti. Prej këndej, nuk mund të mos alarmohet nga lajmi i Dijetarëve. Duke e njohur karakterin e tij, ishte e qartë se s’kishte forcë që ta ndalonte në rrugën e krimit. “Kur e pa se dijetarët e kishin mashtruar, u tërbua e dërgoi njerëz për t’i mbytur të gjithë djemtë dy vjeç e poshtë, në Betlehem dhe në të gjitha trojet, ku sundonte; simbas kohës, që e hetoi me kujdes nga dijetarët” (Mt 2,16). Është e vërtetë se nga burimet jo biblike nuk dimë asgjë për këtë ngjarje, por duke pasur parasysh se Herodi i kishte lyer disa herë duart me gjak, nuk na çudit shumë ky krim, kaq i shëmtuar. Lidhur me këtë, Rudoslf Pesch citon autorin hebre, Abraham Schalit: “Besimi në arritjen ose në lindjen, në të ardhmen e afërt, të mbreti mesianik, asokohe kishte pushtuar mendjet e zemrat e njerëzve. Herodi, sundimtar smirëzi e zemërterr e shihte botën me sy të pangopshëm, me shpirtin shpellë. Despoti, dyshimtar, kërkonte kudo tradhti e tradhtarë. Këtij njeriu mendjesëmurë, i mjaftonte një fjalë e vetme e dyshimtë, për t’ju sulur fëmijëve të lindur kohët e fundit e për t’i mbytur të gjithë. Si mund të ndjente keqardhje për fëmijët e botës, kur kishte derdhur gjakun gjakut të vet?”.
Megjithëkëtë, sqaron Papa Ratcinger, realiteti historik i ngjarjes vihet në dyshim nga shumë ekzegjetë, të cilët mendojnë se këtu kemi të bëjmë me motivin e fëmijës së persekutuar, që nis me Moisiun, të cilin e shpëton e bija e faraonit dhe e rrit në pallatin mbretëror të Egjiptit. E gjithë kjo histori njihet me emrin haggadah i Moisiut. Por ndryshimi ndërmjet dy rrëfimeve, tepër i madh, na siguron se historia e Moisiut dhe ajo e Krishtit kanë pak të përbashkëta.
Për të na bindur, para se të tregojë historinë e ikjes së Familjes Shenjte në Egjipt, Benedikti XVI analizon burimet biblike, që kanë të bëjnë me këtë fenomen, nga Libri i Daljes, tek Ungjilli i Mateut, i cili niset nga fjalët “Nga Egjipti e thirra tim bir” (Os 11,1), cituar nga Ozea, profeti, që e tregon historinë e Izraelit, si histori dashurie prindërore ndërmjet Hyjit e popullit të tij. Sipas Ozesë, Izraeli, simbolikisht, ishte ende në Egjipt. Prej këndej, me ikjen e Jezusit në Egjipt e me rikthimin e tij, dalja merr me të vërtetë fund. Biri nuk do të ikë kurrë më, nuk do të largohet kurrë më nga Ati. Ai rikthehet në shtëpi e prin drejt shtëpisë! Ai është gjithnjë për udhë drejt Hyjit e me këtë na ndihmon të mos largohemi kurrë më nga “atdheu”, nga ajo që është themelore. Jezusi, Biri i vërtetë, në një kuptim shumë të thellë, shkoi vetë në mërgim, për të na rikthyer të gjithë ne drejt daljes, kah shtëpia.








All the contents on this site are copyrighted ©.