2012-12-31 16:33:47

Veprimtaria e Papës: bilanc i vitit 2012, për Benediktin XVI, vit i jetuar me guxim.


Vit i jetuar thellësisht e trimërisht. Në vitin 2012, Benedikti XVI kryen dy shtegtime ndërkombëtare, në Meksikë e Kubë dhe në Liban, si dhe katër vizita në Itali, ndërmjet të cilave, takimi me njerëzit e dëmtuar nga tërmeti në Emilia Romanja. Merr pjesë në Takimin Botëror të familjeve, shpall Vitin e Fesë, kryeson Sinodin për Ungjillëzimin e Ri. Përveç tjerash, duket në Twiter dhe boton vëllimin kushtuar figurës së Jezusit të Nazaretit. Feja, familja, paqja, janë temat më të pranishme në Magjisterin e tij gjatë këtij viti, karakterizuar edhe nga impenjimi i fortë për transparencë në Vatikan.

Bari i butë. I sigurtë. E guximtar. Në 2012-tën, vit posaçërisht i ngarkuar me veprimtari edhe në planin personal, Benedikti XVI përballon vendosmërisht sfidat për jetën e Kishës, ad intra e ad extra. Duke nisur nga shtegtimet e tij ndërkombëtare, të cilat ua rikthejnë shpresat popullsive, që takon. Në mars, Papa shkel përsëri në Kontinentin latino-amerikan, duke vizituar Meksikën e Kubën. Në tokën meksikane denocon dhunën, korrupsionin e trafikun e drogës, duke ngritur zërin me një forcë, që të kujton thirrjet e Gjon Palit II kundër mafies, në Agrixhento të Italisë. Ndërsa në trojet e Kubës, kërkon guxim si nga autoritetet e Havanës, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“Cuba y el mundo necesitan cambios…”
Kuba dhe bota-vëren Papa, duhet të ndryshojnë, por do të ndryshojnë vetëm në se do t’i bëjnë vetes pyetjen për të vërtetën e do të vendosin të marrin udhën e dashurisë, duke mbjellë farën e pajtimit e të vëllazërisë. E pikërisht nën shenjën e pajtimit ishte shtegtimi historik apostolik në Liban, shtatorin e kaluar. Në një rajon të dërmuar nga dhuna, me Sirinë e gjakosur nga lufta civile, që i troket në portë, Papa bëhet shtegtar i paqes. Prekës, takimi i Benediktit XVI në Bejrut me të rinjtë sirianë, të krishterë e myslimanë, të cilëve u drejton fjalë guximi e shprese:
“Il faut que l’ensemble du Moyen-Orient…”
Është e nevojshme, u thotë Papa, që e gjithë Lindja e Mesme, duke ju parë ju, të kuptojë se myslimanët e të krishterët, Islami e Krishterimi, mund të jetojnë pranë e pranë pa mëri, duke respektuar besimin e njëri–tjetrit , për të ndërtuar së bashku një shoqëri të lirë njerëzore. Vizita në Liban rrok simbolikisht gjithë Rajonin. Arsyeja kryesore e këtij shtegtimi është dorëzimi i Nxitjes Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme” (Ecclesia in Medio Oriente), fryt i Sinodit të ipeshkvijve të kësaj zone, mbajtur në Vatikan, në tetor 2010. Ndërsa sivjet, po në Vatikan, mblidhet Sinodi kushtuar Ungjillëzimit të Ri, temë që Papa e ka shumë për zemër. E pikërisht për ta përballuar këtë sfidë, krijon edhe një dikaster ad hoc. Benedikti XVI ripohon me forcë se Kisha ekziston për të ungjillëzuar e se mbarë të pagëzuarit janë të thirrur të impenjohen për ungjillëzimin:
“Gjithë njerëzit kanë të drejtë ta njohin Jezusin e Ungjillin e tij; e me këtë përkon edhe detyra e të krishterëve për ta kumtuar Lajmin e Mirë, e mbarë të krishterëve: priftërinj, rregulltarë e laikë” (Mesha e mbylljes së Sinodit, 28 tetor).
Me temën e Ungjillëzimit të Ri lidhet ngushtë dhe Viti i Fesë, shpallur nga Benedikti XVI në 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit dhe në 20 vjetorin e botimit të Katekizmit të Kishës Katolike. Një vit, që Papa ia beson Marisë, gjatë vizitës në Shenjtëroren e Loretos, në gjurmët e Gjonit XXIII. “Në se sot Kisha propozon një Vit të ri kushtuar fesë dhe ungjillëzimit të ri, pohon Papa, nuk e bën këtë për të nderuar kujtimin e një ngjarjeje, por sepse ka nevojë për të, edhe më shumë se 50 vjet më parë!”. E nënvizon se Kisha është e thirrur të punojë me gjithë shpirt për ta kapërcyer procesin e shkretimit shpirtëror:
“Ja pra, si mund ta përfytyrojmë këtë Vit të Fesë: si shtegtim në shkretëtirat e botës bashkohore, duke marrë me vete vetëm gjërat më të nevojshme: as shkop, as strajcë, as bukë, as para e as dy guna – siç u thotë Zoti apostujve, duke i nisur për mision (Lk 9,3) – por vetëm Ungjillin e fenë e Kishës, shprehje e ndritshme e të cilave janë dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”.
2012-ta e Benediktit XVI dallohet edhe për impenjimin në favor të familjes, që vijon të kërcënohet gjithnjë më shumë, siç e kujton Papa edhe në fjalimin drejtuar Kuries Romake me rastin e urimeve të Krishtlindjes. Në maj, në Milano, kremtohet Takimi VII Botëror i Familjeve. Atyre, prindër e fëmijë, Papa u beson një detyrë të jashtëzakonshme: ju, pohon, jeni e vetmja forcë, që mund t’ia ndryshojë vërtet faqen botës. Takimi i madh mbetet i paharrueshëm edhe për fjalët, që Papa u drejton, me dashuri atërore, bashkëshortëve të ndarë:
“Më duket se është detyrë e famullisë, e bashkësisë katolike, të bëjë gjithçka është e mundur, që ata ta ndjejnë se duhen, se pranohen, se nuk janë ‘jashtë’, edhe pse nuk mund të marrin zgjidhjen e mëkateve e Kungimin Shenjt; duhet ta shikojnë se, edhe kështu, jetojnë plotësisht në Kishë”(Festa e dëshmive, 2 qershor).
Në se në Milano përmasa e vizitës është më tepër ndërkombëtare sesa italiane, Papa nuk mungon të bëjë vizita të tjera në Itali: në Loreto, për Vitin e Fesë dhe 50- vjetorin e Koncilit; në Areco e në San Sepolkro e, posaçërisht në Emilia Romanja e në Lombardi, ku takon më të dëmtuarit nga tërmeti. Në Rovereto Novi, një ndër qendrat më të rrënuara, Papa, i prekur thellë, i siguron njerëzit e munduar për afërsinë shpirtërore konkrete të Kishës:
“Kisha është pranë jush, e do të jetë pranë me lutjen e saj e me ndihmën konkrete të organizatave të saj, posaçërisht të Karitasit, që do të impenjohet edhe për ta rikrijuar bashkësinë e famullive” (Vizita në Rovereto Novi, 26 qershor).
Në këtë vit Papa boton edhe Motu proprio mbi shërbimin e dashurisë së krishterë, si dhe themelon Akademinë Papnore të Latinitetit. Larton, pastaj, në nderimet e elterit, shtatë shenjtorë të rinj e shpall dijetarë të Kishës, Shën Gjonin e Avilës dhe Shën Hildegardën e Bingenit. Krijon edhe 28 kardinaj, në dy koncistore: një në shkurt e tjetri, në nëntor. Të shumta, emërimet e rëndësishme, ndërmjet të cilave, ai i imzot Gerhard Ludvig Myler si prefekt i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Por duhet kujtuar se po ky vit është edhe i vuajtjes personale të Papës, që tradhtohet në shtëpi të vet. Në maj arrestohet ndihmësi i tij i dhomës i akuzuar për vjedhjen e dokumenteve personale, botuar, pastaj, nga mjetet e komunikimit. Është kulmi i atij, që quhet “Vatileaks”, e që pasohet edhe nga një proces gjyqësor, nga një dënim për Paolo Gabrielen, por edhe nga një falje. Papa e fal njeriun, që i shkaktoi aq shqetësime, pak para Krishtlindjes, duke i krijuar mundësinë të rikthehet në gjirin e familjes. Në kulmin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme, u shpreh besimtarëve ndjenjat e tij. Dhimbja është e fortë, por jo e padurueshme:
“Ngjarjet, që ndodhën këto ditë lidhur me Kurien e bashkëpunëtorët e mi, më shkaktuan trishtim të thellë, por nuk mundën të ma errësojnë sigurinë se, pavarësisht nga ligështia e njeriut, vështirësitë e provat, Kisha udhëhiqet nga Shpirti Shenjt e nga Zoti, që do të vazhdojnë ta ndihmojnë gjithnjë në rrugën e saj (Audienca e përgjithshme, 30 maj 2012).
Guxim e transparencë kërkon Papa edhe për drejtimin e Ior (Instituti për Veprat e Fesë). Një proces, që sjell rezultate domethënëse. Në korrik, autoriteti evropian “Moneyval” i gjykon pozitive masat e marra në Vatikan për parandalimin e riciklimit të parasë.
Gjatë vitit të shtatë të papnisë së tij, Ati i Shenjtë nuk i kursen për asnjë çast energjitë, në përpjekjen për t’ua kumtuar Ungjillin sa më shumë njerëzve, nga mbarë bota. E bën këtë me kremtimet, me audiencat e përgjithshme, me vizitat në famulli, në burgje, në institutet e bamirësisë. Po këtë vit, edhe hapat e para në “Kontinentin dixhital”. Më 12 dhjetor, mesazhi “Të dashur miq, me gëzim lidhem me ju në Twitter. Faleminderit për përgjigjen tuaj fisnike. Ju bekoj me gjithë zemër”. Ky është edhe tweet-i i parë i Papës, që zgjodhi për këtë, emrin “@pontifex”. U realizua nga vetë Ati i Shenjtë në përfundim të audiencës së përgjithshme. Ndërkaq numri i ndjekësve, në faqen tetëgjuhëshe papnore, arrin në miliona.
Jo më pak i suksesshëm, edhe botimi i librit ‘Fëmijëria e Jezusit”, me të cilin Papa përfundon trilogjinë kushtuar Jezusit të Nazaretit. Një dhuratë për të gjithë ata, besimtarë e jo besimtarë, që janë në kërkim të së vërtetës!















All the contents on this site are copyrighted ©.