2012-12-31 17:51:53

Te Deum me Papën Benedikti XVI: Ta falenderojmë Zotin, pavarësisht nga vështirësitë e këtij viti. Në Birin e Tij, e ardhmja e shpresa çdo njeriu


Bota katolike ia kushton orët e fundit të vitit falenderimeve drejtuar Zotit për hiret, që i ka dhënë gjatë 366 ditëve të kaluara, me shpresën se e ardhmja do të jetë gjithnjë më e mirë. Edhe Papa Benedikti XVI kryesoi në Bazilikën e Vatikanit, mbrëmësoret, që u mbyllën me “Te Deum”, himnin karakteristik të fundit të vitit. Më pas, shkoi për të adhuruar Krishtin Fëmijë tek shpella e Betlehemit, në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Sido të ketë qenë viti, i lehtë a i vështirë, i varfër apo i pasur me fryte, ne falenderojmë Zotin – tha Ati i Shenjtë. Në ‘Te Deum’ përmbahet një urti e thellë, ajo urti, që, pavarësisht nga gjithçka, na shtyn të themi se e mira ekziston në botë e kjo e mirë është e destinuar të fitojë falë Zotit, Hyjit të Jezu Krishtit, mishëruar, vdekur e ngjallur”.
“Nganjëherë – vazhdoi Benedikti XVI, duke shpjeguar pse e falenderojmë Zotin – është e vështirë ta kuptojmë këtë realitet të thellë, sepse e keqja bën më tepër zhurmë se e mira; një vrasje e paskrupullt, dhuna, padrejtësitë e rënda janë lajme në faqet e para të mediave; përkundrazi, gjestet e dashurisë e të shërbimit, puna e lodhshme e përditshme, besnikëria e durimi mbeten shpesh në hije, pa dalë në dritë”.
Kush na e di shpirtin përveç Zotit? Vetëm kur ndalemi për një çast, në heshtje, në thellësinë e zemrës, Hyji na flet e shëron plagët e pashmagshme, që e keqja lë brenda e përreth nesh. E kjo na jep mundësinë ta mundim të keqen me të mirën, të jemi njerëz të shpresës, të kuptojmë se muzgu i errët mbi botë nuk varet nga plani i Zotit, por nga vendimet e gabuara të njerëzve, të ndjejmë se me forcën e fesë mund të luajmë vërtet malet nga vendi. Është Hyji, i vetmi, që mund të ndriçojë edhe errësirën më të thellë, tha Papa, e kur e ndjejmë këtë në shpirt, s’mund të mos e falenderojmë. Ky është kuptimi i “Te Deum”-it, himnit, që i thur lavde Zotit e që këndohet çdo fundviti.
Duke përshkruar veprimtaritë vjetore në dioqezën e Romës, si ipeshkëv i saj, Papa përvijoi edhe impenjime, që vlejnë për çdo dioqezë në këtë Vit të Fesë, i cili sapo ka filluar. Së pari, përmasa misionare e punës baritore për t’ua çuar Ungjillin të gjithëve, sidomos familjeve, prindër e fëmijë, veçanërisht pasi përfundojnë formimin për Pagëzimin, Kungimin e Parë e Krezmimin. Kisha duhet t’i shoqërojë edhe më pas e t’u qëndrojë afër me propozimet e saj për jetën shpirtërore, nënvizoi Ati i Shenjtë. Për kapërcimin e vështirësive, kjo jetë është edhe më e nevojshme, se kërkesat e tjera. Pastaj, të afrohen ata që akoma nuk e njohin Jezu Krishtin, ose e kanë braktisur; të formohen vazhdimisht veprimtarët e baritorisë së Kishës; të përkrahen të varfërit e të braktisurit, por edhe familjet në vështirësi, më anën e solidaritetit të të gjithëve.
Viti i Fesë, theksoi Papa, synon të zgjojë në zemrën e çdo besimtari, vetëdijen më të madhe se takimi me Krishtin është burimi i jetës dhe i shpresës së vërtetë. Në Fjalën e bërë njeri është e mundur, gjithnjë e sërish, të gjejmë identitetin e vërtetë të njeriut, që zbulon se atij i takon dashuria pa fund e Zotit. Kjo e vërtetë, që Krishti erdhi të na e zbulojë, përfundoi Benedikti XVI, është siguria, që na nxit ta shohim me besim vitin, që po fillojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.