2012-12-31 16:34:16

Nata e Vitit të Ri në lutje për familjet e për familjen e madhe njerëzore, në Sheshin e Shën Pjetrit


Pikërisht për ta parë me besim kohën e re, që po fillon sonte, Nata e Vitit të Ri 2013, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, sipas një tradite shumëvjeçare, përfaqësues të familjeve që ndodhen në Romë, mblidhen përsëri para Shpellës së Betlehemit. Gjithë natën familjet do të luten për familjet e për mbarë familjen njerëzore. Para një mjedisi familjar krejt të pazakontë: Shpellës së Betlehemit. Lutja, që organizohet nga Lëvizja për Dashurinë Familjare, nisur në orën 23.15, do të vijojë deri në agimin e ditës së parë të Vitit të Ri. Agim, që në Sheshin e Shën Pjetrit, do të zbardhë nën shenjën e bashkimit të popujve, në atmosferën e paqes e në frymën e lavdërimit të Zotit, për të gjitha të mirat e dhuruara gjatë viti 2012, pa harruar edhe të vështirat, që ai i Lumi na ndihmoi t’i mbartim e t’i kalojmë me praninë e dashurinë e Atit, i cili di t’u përgjigjet gjithnjë bijve, në lutje. T’ia besojmë, prandaj, të gjitha ditët e vitit tonë 2013, me bindjen se do t’i mbushë përplot me paqe, dashuri, vërtetësi, fe e shpresë. E, në sa vijojmë shtegtimin tonë në kohë, në gjirin e një shoqërie, që nuk premton shumë, të mos e harrojmë kurrë Zotin, që premton ç’ është më e mirë për zemrën njerëzore. Të bashkohemi simbolikisht, për disa çaste, nga tryezat tona të festës, nga gjiri i familjeve tona, me besimtarët, që i drejtohen Zotit nga Sheshi i Shën Pjetrit, ku rreh zemra e krishterimit. Të lutemi kështu, së bashku, në gjirin e familjes shumëmilionëshe të besimtarëve në Krishtin, së cilës i përkasim, pranë Shpellës së Betlehemit, mysafirë të Familjes Shenjte, duke i kërkuar një Vit të gëzuar 2013, me shëndet e të mira!







All the contents on this site are copyrighted ©.