2012-12-29 11:56:25

Krishtlindja me Papën: “Ndalesa e Tre Mbretërve në Jeruzalem”.


Në emisionin e 21-të, të Rubrikës “Krishtlindje me Papën”, Benedikti XVI na fton të rikthehemi tek teksti i Ungjillit. Mbretërit tashmë arrijnë tek vendi, që besonin se ishte ai i profecisë, në pallatin e mbretit të Jeruzalemit. Kërkojnë menjëherë të posalindurin, “mbretin e Judenjve”. E shprehja, që përdorin, është tipikisht jo hebraike. Në mjediset hebraike do të ishte folur për mbretin e Izraelit. E pikërisht ky term “mbreti i Judenjve” rikthehet vetëm në gjykimin e Jezusit e në mbishkrimin, që varet mbi Kryq, në të dy rastet, i përdorur nga një pagan, Pilati (cfr.Mk 15,9; Gjn 19,19-22). Kështu mund të themi se, që në çastin kur paganët e parë interesohen për Jezusin, tejduket në një farë mënyre misteri i Kryqit, lidhur pazgjidhshmërisht, me pushtetin mbretëror të Jezusit.
E kjo duket qartë në reagimin pas pyetjes së Mbretërve për të posalindurin, “Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë, e me të, mbarë Jeruzalemi” (Mt 2,3).
Ekzegjetët vërejnë se turbullimi i Herodit kur merr lajmin e lindjes së një pretendenti misterioz për fronin, është plotësisht i kuptueshëm. Ndërsa, në këtë çast, do të ishte shumë më pak i kuptueshëm shkaku i shqetësimit të mbarë Jeruzalemit. Ndoshta këtu kemi të bëjmë me parafoljen e hyrjes së ardhshme ngadhënjimtare të Jezusit në Qytetin Shenjt natën e Mundimeve, hyrje për të cilën Mateu shkruan se shkaktoi një trazirë të madhe në mbarë qytetin (21.10).
Kështu të dyja skenat, në të cilat duket në një farë mënyre pushteti mbretëror i Jezusit, lidhen me njëra-tjetrën e, njëkohësisht, edhe me tematikën e Mundimeve.
Më duket se lajmi për shqetësimin e qytetit lidhet edhe me vizitën e Mbretërve. Në këtë situatë tejet të acaruar, Herodi i thërret “të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, për të sqaruar kuptimin tejet të rrezikshëm të pyetjes lidhur me pretendentin e fronit”(Mt2,4). Kjo mbledhje dhe shkaku i organizimit të saj, nuk mund të mbeteshin të fshehura. Lindja e mundshme, ose reale e një mbreti mesianik, nuk mund të sillte tjetër, veçse grindje, sherre e ligësi për banorët e Jeruzalemit. Ata e njihnin mirë Herodin. E Foshnja, që në perspektivën e madhe të fesë ishte yll shprese, në perspektivën e jetës së përditshme, në çastin e parë, dukej shkak shqetësimesh, frike, trazirash të reja, për këtë vend tejet të trazuar. E në të vërtetë Hyji e trazon gjithnjë rehatinë tonë të përditshme. Pushteti mbretëror i Jezusit e Mundimet e Tij shkojnë përherë krah për krah. Yll i vërtetë, shigjetë zjarri, lartuar mbi shtyllën e jetës, Ai e ndante më dysh rrugën njerëzore: gjysma akull e gjysma diell!
Por, të kthehemi përsëri në Jeruzalem, na fton Benedikti XVI në librin “Fëmijëria e Jezusit”. Ç’përgjigje i dhanë pyetjes për vendin ku kishte lindur Jezusi, personalitetet e ndritura, mbledhur rreth Herodit? Sipas Mateut, dhanë një përgjigje të thurur me fjalët e Mikesë Profet e të Librit II të Samuelit:
“E ti Betlehem, tokë e Judës,
s’je kurrsesi më i vogli ndër qytete të Judës;
nga ti do të dalë Prijësi[cfr Mi 5,1]
që do ta kullosë popullin tim, Izraelin”[cfr 2 Sam 5,2].
Duke cituar këto fjalë, Mateu u dha dy ngjyrime të ndryshme. Ndërsa pjesa më e madhe e përkthimit të tekstit, posaçërisht përkthimi grek i të Shtatëdhjetëve, thotë: “[Ti je] më i vogli, për të qenë kryqendër e Judës”, Ungjilltari shkruan: “S’je kurrsesi më i vogli ndër qytete të Judës”. Të dy variantet e tekstit lënë të kuptohet paradoksi i veprimit të Zotit, që përshkon gjithë Besëlidhjen e Vjetër duke na kujtuar se ajo që është e madhe, lind nga ajo që, sipas kritereve të botës, duket krejt e vogël, e pakuptimtë; ndërsa ajo, që për sytë e botës është e madhe, copëtohet e zhduket.
E shikojmë qartë në historinë e thirrjes së Davidit. Më i riu i bijve të Isait, i cili në atë çast po kulloste grigjën, do të thirrej për t’u shuguruar mbret, sepse nuk ka pikë rëndësie shtati; rëndësi ka zemra (cfr.1Sam 16,7). E në këtë përfundim arrin edhe Maria në “Magnificat”, kur thotë: “Shfaqi fuqinë e krahut të vet,
i humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre;
përmbysi të pushtetshmit nga fronet
lartoi t’përvuajturit. (Lk 1-52)Varianti i tekstit nga Besëlidhja e Vjetër, në të cilin Betlehemi cilësohet më i vogli nga qytetet e Judës, e eliminoi vetëm në dukje këtë paradoks. Qyteti i vogël, i panjohur, që dukej pa pikë rëndësie, tani bëhet i njohur në të gjithë madhështinë e vet. Prej tij do të dalë Bariu i vërtetë i Izraelit. Në këtë variant të tekstit duken njëherësh vlerësimi njerëzor e përgjigjja e Zotit. Me lindjen e Jezusit në Shpellën jashtë qytetit, paradoksi duket përsëri.
E me këtë arrijmë edhe tek ngjyrimi i dytë: Mateu u shton fjalëve të profetit, edhe fjalët e shkëputura nga Libri II i Samuelit(cfr 5,2). Princi i ardhshëm quhet Bari i Izraelit. Ceket, kështu, kujdesi plot dhembshuri e zemërbutësia e sovranit të vërtetë, që përfaqëson pushtetin mbretëror të vetë Hyjit. Mbreti-Foshnjë e ndan kohën në terr e në dritë; e ndan edhe zemrën e vet ndërmjet njerëzve.
Priftërinjtë dhe skribët i tregojnë Herodit jo vetëm vendin ku ka lindur Mbreti, por i japin edhe shpjegimin teologjik të këtij vendi. E Herodi, kuptohet, ngutet të marrë masat e duhura. Ndërsa Tre Mbretërit nisen nga Jeruzalemi, drejt Betlehemit. E edhe ne pas tyre, në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.