2012-12-29 11:53:37

Ipeshkvi i Halebit në Siri: autoritetet mbetën të kënaqur nga fjalët e Papës. Kishat plot për Krishtlindje


Guvernatori i Halebit në Siri, Mohamad Vakhid Akkad, i shoqëruar nga autoritete politike të vendit, u takua javën e shkuar me ipeshkvijtë e meshtarët katolikë, me rastin e urimeve për Krishtlindje. Siç tregoi ipeshkvi, imzot Xhuzepe Naxaro, vikar apostolik i Halebit, guvernatori shprehu vlerësim për fjalët e Papës Benedikti XVI, i cili në mesazhin e Krishtlindjes denoncoi gjendjen tragjike në Siri dhe u kërkoi krerëve të kombeve të bëjnë ç’është e mundur për të ndaluar konfliktin e për të sjellë paqen. “Po e shkatërrojnë vendin- thotë imzot Naxaro. Kushdo të fitojë, do të ketë si trashëgim vetëm një grumbull rrënojash, njerëzore e materiale”.
Pikërisht rajoni i Halebit vazhdon të mbetet fushë beteje. Forcat qeveritare dhe rebelët luftojnë për kontrollin e aeroportit ushtarak. Por pavarësisht nga kjo situatë, shpjegon ipeshkvi, të krishterët festuan Krishtlindjen, së paku më 25 dhjetor, ndersa meshët e 24 dhjetorit u kremtuan përpara natës, për t’u dhënë të gjithëve mundësi të kthehen shpejt në shtëpi. Në ditën e Krishtlindjes, kishat u mbushën plot e përplot, megjithëse se shumë të krishterë janë larguar. Ata që mbeten shtrëngojnë radhët dhe kërkojnë ngushëllim tek Zoti e tek njëri-tjetri. Edhe kjo është Krishtlindje!







All the contents on this site are copyrighted ©.