2012-12-29 11:55:20

Festa e Familjes Shenjte na kujton vlerat e vërteta të jetës


Ndërsa jemi në prag të Vitit të Ri 2013, festa liturgjike e Familjes Shenjte qe kremtojme këtë të diele, na kujton cilat janë vlerat e vërteta në jetë, vlerat bazë për të krijuar një botëkuptim të shëndoshë mbi botën e për të përballuar me guxim çdo lloj problemi, që na del përpara.
Të krishterët kanë një përkushtim të veçantë ndaj Familjes Shenjte, e cila është marrë gjithnjë si shembull e model. Ky përkushtim s’është tjetër veçse vullneti i patundur për të bërë gjithçka i pëlqen Jezusit, Marisë e Jozefit, duke e lënë veten të udhëhiqemi nga ata e duke ua besuar lutjet e travajët tona.
Pikërisht me një lutje, të miratuar nga Papa Aleksandri VII në vitin 1675, dëshirojmë ta festojmë Familjen Shenjte, me urimin që përkushtimi ndaj saj t’i ndihmojë të gjithë të krishterët:
“O Jezu Krisht, o shën Mari, o shën Jozef! Ju që jeni Familja më e ndershme, më e përsosur e më e shenjtë, që ka ekzistuar ndonjëherë, duke u bërë model për të tjerat, unë (e thuhet emri), në praninë e Trinisë Shenjte - Ati, Biri e Shpirti Shenjt - e në praninë e të gjithë shenjtorëve të Parajsës, ju zgjedh ju e engjëjt si mbrojtës, pajtorë e avokatët e mi, ua dhuroj e ua përkushtoj juve krejt vetveten, me qëllimin e vendosmërinë e plotë të mos ju braktis kurrë e as të lejoj të thuhet, ose të bëhet ndonjë gjë kundër nderit tuaj, për sa kam fuqi. Ju lutem me përgjërim të më konsideroni shërbëtorin tuaj të përhershëm, të më ndihmoni në çdo veprim e të mos më braktisni në orën e vdekjes. Amen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.