2012-12-29 11:53:56

Atë Lombardi, Papa e shikon Kinën me realizëm, shpresojmë në hapa përpara.


Në mesazhin e ditës së Krishtlindjes, Papa Benedikti XVI iu drejtua, ndër të tjera, edhe popullit kinez e veçanërisht udhëheqësve të tij, të sapozgjedhur nga Kongresi i mirënjohur i Partisë Komuniste. Ati i Shenjtë i kujtoi këtij populli të madh rolin e rëndësishëm që ka në një botë të globalizuar, në ekuilibrin e së cilës ndikojnë jo pak vendimet e hierarkëve të partisë, që udhëheq Kinën. Marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Pekinit janë të paparashikueshme, herë shkojnë më mirë e herë shkojnë më keq, sipas sjelljes së komunistëve kinezë me meshtarët e ipeshkvijtë, që njohin Papën për udhëheqës e jo Shoqatën Patriotike Katolike, të krijuar enkas për t’i shkëputur katolikët nga selia e Shën Pjetrit e për t’i vënë nën diktatin e Partisë Komuniste. Në editorialin javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi jep interpretimin e tij për fjalët e Benediktit XVI. Nëse kërkohet paqja, të vegjlit nuk duhet të kenë frikë nga të mëdhenjtë, liria e Fesë është parakusht për një shoqëri të qëndrueshme thekson atë Lombardi:
Ndërsa në Mesazhin për Ditën e Paqes, publikuar javët e kaluara, Papa u thellua në tematikat me karakter antropologjik e shoqëror, të lidhura me bazat e ndërtimit të paqes, në Mesazhin e ditës së Krishtlindjes foli drejtpërdrejt për konfliktet në botë, duke filluar nga gjendja tragjike në Sirinë e përgjakur nga dhuna pa fund. Por formuloi edhe një urim të veçantë për udhëheqësit e rinj të Republikës Popullore Kineze, duke pasur parasysh “detyrën e tyre të lartë”. Ndoshta kjo ishte e papritur, por tregon sa realist dhe i vetëdijshëm është vështrimi i Papës dhe i Kishës mbi udhën e njerëzimit. Është fjala për popullin më të shumënumërt të Tokës – një e pesta e gjithë njerëzimit – dhe për peshën gjithnjë e më të madhe të Kinës në ekuilibrin botëror. Është fjala ta shohim jo sipas perspektivës së zakonshme të pushtetit, por sipas asaj të paqes e të solidaritetit, “për të mirën e atij populli fisnik e të botës mbarë”. E, edhe për atë popull, liria e fesë është premisa thelbësore “për ndërtimin e një shoqërie solidare”, siç nuk lodhet së përsërituri Papa. Fetë nuk duhen parë me dyshim, si faktorë ndarjeje e ndërhyrjeje të brendshme, por si forca shpirtërore pozitive, që kanë dëshirë të kontribuojnë për të mirën e përbashkët. Roma e ka parë gjithnjë me këtë frymë bashkësinë katolike në Kinë, siç është theksuar vazhdimisht me qartësi në mesazhet e Papëve drejtuar asaj. A do të sjellë Viti i Ri hapa të tjera përpara? Urojmë që po.
Mbreti i Paqes vjen për të gjithë. Për popuj të vegjël e për popuj të mëdhenj. Nëse kërkohet paqja, të vegjlit nuk duhet të kenë frikë nga të mëdhenjtë. Nëse jo, natyrisht që do të kenë frikë. Papa e shqiptoi urimin e Krishtlindjes vetëm në 65 gjuhë, por do të duhej të shqiptohej në mijëra, në të gjitha gjuhët e botës, sepse jemi një familje e vetme njerëzore e kemi një Atë të vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.