2012-12-29 12:54:06

Atë Gjergj Fishta, në 72-vjetorin e kthimit tek Ati qiellor.


Kanë kaluar 72 vjet nga dita e kalimit të Atë Gjergj Fishtës në shtëpinë e Atit Qiellor, nga dita e 30 dhjetori i vitit 1940 që e mbyti në lot gjithë Shqipërinë. Gjithë vendi gjëmonte, në sa i jepte lamtumirën e fundit fratit e poetit të vet Kombëtar!
Por personalitete si Atë Gjergj Fishta nuk janë për t’u vajtuar. I përkasin asaj race njerëzish, që njeh vetëm një datë: atë të lindjes.
Poeti kombëtar e françeskani i jashtëzakonshëm rrethohet me dhurata, në këtë përvjetor të madh: françeskanët në Shqipëri ia kanë ribotuar pothuajse plotësisht veprën. Kanë ribotuar edhe monografinë Atë Gjergj Fishta “Jeta dhe Vepra” të Atë Daniel Gjeçajt; përmbledhjen me shkrime, që pasqyrojnë pikërisht ngjarjen tragjike të dimrit, 72 vjet më parë, nën kujdesin e Atë Benedikt Dema. E po kështu edhe një vepër tjetër e Atë Benedikt Demës: “Fjalori i mitologjisë dhe i emrave të përveçëm në Lahutën e Malcís”.
Si françeskanët, edhe opinioni publik shqiptar gjatë këtyre mase 20 vjetëve pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, i kushtojnë vëmendje të veçantë Atë Gjergj Fishtës, sikur të ishte ende gjallë e të vijonte krijimin e veprave të reja. E kjo dëshmon se shkrimet e tij jo vetëm që nuk vjetrohen kurrë, por rinohen në rrjedhë kohe. Mbeten gjithnjë të reja, aktuale, sepse vijojnë t’ i këndojnë me një art të pashembullt pikërisht shpirtit të Kombit Shqiptar. Aktuale edhe vargjet monumentale të Poetit Kombëtar, drejtuar Zanës së tij:
“Veçse po, moj bjeshkatare
Krah m’krah bashkë na tue këndue,
Ndertue kem’ ‘i pomendare,
Rr’fe as mot mos m’e dermue!”.
Është Vepra që na la trashëgim, përmendorja e vërtetë e Atë Gjergj Fishtës, ndonëse e ka edhe një tjetër, moderne, në mermer, në qendër të Shkodrës.
Vepra fishtjane tashmë është bërë shkollë kombëtare e vatër kulture, është kthyer në armë lufte e fitoreje, në mjet mbrojtës e shpartallues kundër cenuesve të idealit të shenjtë fetaro-kombëtar. Ajo sot na paraqitet porsi një kuadër klasik i një piktori në zë, ku lëvizja e penelit dhe talenti i artistit luftojnë krah për krah për të shprehur sa më gjallë e më saktë, jo një vizion, jo një pamje, por një periudhë, një shekull, një botë.
E mund të pohohet se vepra e Poetit Kombëtar është si një damar floriri, që shtrihet deri në zemrën e Tokës shqiptare, qeveria duket se nuk ka kohë të merret me më të madhin Kangatar të vendit, mbi të cilën sundon.
E tregon fakti se ngaAtë Fishta i madh na kanë arritur pak e aspak relikte. Vdekja e tij na rikujton sot Shkodrën, ku kaloi pjesën më të mirë të jetës e ku krijoi disa nga kryeveprat. E stuhitë që shfrynë mbi qytetin verior, duke përlarë, pa shpresë kthimi, kujtime me vlerë të paçmuar për historinë kombëtare, për shoqërinë shqiptare, për njerëzit, pra qytetarë e për Shtetin Shqiptar që Fishta na i përshkruan kështu: “Gjindja janë ndejë hijeve, pa punë, tuej pritë me gojë hapët, si zogj pllumbash, pale çka po na bjen nana, vida Europë:.. Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare” (Hylli i Dritës, I, 1913, fq 25).
E duke iu referuar Shtetit, Fisha shkruan :“Një shtet i rí në të ziem, si ai i Shqipnisë më ketë periudhë, ka nevojë për të mirën e përbashkët e jo për kulltuqe. Ky shtet dhe këto auktoritete - pohon - kanë kenë andërra e idealit të gjithë jetës sonë” (HD. IX, 1923. 395).
E në shkrimin "Hominem non habeo" (HD. IX, 1923, 386-400) - "Nuk kam njeri" - penda mësimdhënëse e të Fishtjanit vërteton me fakte në dorë se Atdheu ynë, deri në kohën e këtij shkrimi, s'pat, mjerisht, një njerí që " me i dhanë Shqipënisë përparim moral e material; përsè termometri i aftësisë së njerzëve, qi kanë auktoritetin në dorë, âsht tryeza (sofra) e katundarit dhe e bakallit - gjendja ekonomike e popullit qi lán e kján. Po kje se buka i âsht shtue popullit - e me bukë autori këtu nënkupton mbarë nivelin ekonomik ose mirëqenien e gjithanshme të nënshtetasve, pa dallim klase a shtrese - don me thanë se Shqipënija ka njerí, se sunduesat e sajë kanë dijtë me kqyrë interesat e vërteta të saja" …
Për t'ia mërrijtë këtij qellimit, Fishta thrret në ndihmë “mësimdhânësat ndër shkolla, nëpunësat ndër zyre, intelektualët e, mbi të gjithë, njerëzit e pendës ndër fletore e të përkohshme, ndër libra e shkrime të tjera”:
"Nepër armë kemi pështue ekzistencën tonë, nepër pendë do t'ia sjellim të mbarën e të mirën Atdheut" - pohon solemnisht.
Cilësitë e para të kulturës i gjen Atë Gjergji në psihen e Shqiptarit. E njëmend: "Për kulturë duhet: mendja e shquet, vullnesa e fortë e zemra bujare. Të trija këto cilsí Shqipëtari i ka (ibidem)". Nevojitet, prandaj, të lavrohen me kujdes dhe ë drejtohen me urtí.
Prandaj themelon ‘Hyllin”, duke premtuar: “porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjáll shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8).
Këtij qellimi shkrimtarit… "i levduem a i poshtnuem, i nderuem a i harruem… nuk do t'i bâjë zemra me iu largue kurr" (shih: "Shkrimtarët tanë" në HD, I, 1914, 265). 1.c.).
72 vjet pas vdekjes, Poeti Kombëtar meriton të njihet nga afër, të depërtohet thellë në mendje (fjalët) të tij e deri në sopirti e tij, për të zbuluar thesare të vjetëra e të reja, thesare të dobishme për shoqërinë e sotme të popullit shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.