2012-12-28 15:26:12

Papa Patrikut greko-ortodoks të Antiokisë: të krishterët, të bashkuar, dëshmitarë të paqes në Lindjen e Mesme.


Në këto kohë të paqëndrueshme, me prirje për ushtrimin e dhunës, posaçërisht në Lindjen e Mesme, është më urgjente se kurrë për dishepujt e Zotit të japin dëshminë e vërtetë të bashkimit të tyre, që bota ta besojë mesazhin ungjillor të dashurisë, të paqes e të pajtimit. Kështu shprehet Papa, në një mesazh përshëndetjeje e dashurie vëllazërore në Krishtin, drejtuar Patrikut të ri greko-ortodoks të Antiokisë e të mbarë Lindjes, Gjoni X, zgjedhur më 17 dhjetorin e kaluar nga Sinodi kishtar, mbledhur pranë Manastirit të Zojës së Balamandit, në veri të Beirutit. Gjoni X zë vendin e Patrikut Injaci IV Hazim, vdekur më 5 dhjetor, në moshën 92 vjeçare. Kemi përgjegjësi – pohon Papa - të vijojmë së bashku udhën tonë, për të treguar në mënyrë sa më të dukshme realitetin shpirtëror të bashkimit, ndonëse ende të paplotë, por që tashmë na lidh ngushtë. Benedikti XVI uron që marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës greko-ortodokse dhe Kishës katolike të thellohen përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit të frytshëm dhe impenjimit për t’i zgjidhur problemet që vijojnë të ndajnë, falë edhe pjesëmarrjes aktive e konstruktive në punimet e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, në tërësinë e saj. Papa, në përfundim, e siguron Patrikun se i lutet Krishtit t’i ngushëllojë viktimat e dhunës në Lindjen e Mesme dhe t’u frymëzojë të gjithëve gjeste paqeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.