2012-12-28 12:34:55

Krishtlindja me Papën: “Ylli”


Pasi na shpjegoi kuptimin e Mbretërve Dijetarë, Benedikti XVI hap një faqe të re në librin “Fëmijëria e Jezusit”, titulluar thjesht “Ylli”.
Tani duhet të rikthehemi te ylli, shkruan, i cili, sipas rrëfimit të Shën Mateut, i shtyu dijetarët të vihen për udhë. Ç’tip ylli ishte? Ka ekzistuar me të vërtetë?
Ekzegjetë me autoritet, si Rudolf Pesch, kujton Papa, mendojnë se kjo pyetje nuk është aq e rëndësishme. Kemi të bëjmë, sipas tyre, me një rrëfim teologjik, që nuk duhet ngatërruar me astronominë. Edhe Shën Gjon Krizostomi mendon se ky nuk ishte yll i zakonshëm, madje se nuk ishte fare yll, por fuqi e padukshme, që kishte marrë këtë pamje, për shkak të udhës së tij. Nuk ekziston asnjë yll, që lëviz në këtë drejtim”, pohon. (In Matth.hom. VI 2: fq. 57,64). Në traditën e Kishës nënvizohet karakteri i jashtëzakonshëm i yllit, qysh nga Injaci i Antiokisë (100 pas Krishtit), që shikon diellin e hënën duke u sjellë rreth yllit, deri tek himni i lashtë për Dëftimin e Zotit në librin e Lutjeve të ditës, sipas të cilit ylli ia kalonte për bukuri edhe vetë diellit.
Pavarësisht nga këto shkrime, nuk mund të mos mendohej edhe se ndoshta ylli kishte të bënte me një fenomen qiellor astronomikisht të përcaktueshëm e të klasifikueshëm. Do të ishte gabim, na kujton Papa, t’i vinim vizë kësaj pyetjeje, duke u ndaluar vetëm tek karakteri teologjik i tregimit. Me lindjen e astronomisë moderne, të zhvilluar edhe nga të krishterët besimtarë, nisi të bëhej përsëri pyetja për yllin.
Në analizën e hollësishme të arritjeve në fushën e astronomisë, Papa niset prej Gjon Keplerit (vdekur më 1630), që e shpjegon shkencërisht ndriçimin mbi Betlehem, duke u bazuar tek fenomeni i bashkërenditjes së planeteve Jupiteri, Saturni e Marsi, kur u duk një yll i dobët e shumë i largët, në të cilin ndodhi një shpërthim vigan, që lëshoi për javë e muaj të tërë, ndriçim të fortë, të dukshëm.
Papa vijon me astronomin Ferrari d’ Occhieppo dhe arritjet e tij, bazuar mbi studimet e astronomëve babilonezë, të cilët patën arritur në përfundimin se po ndodhte një ngjarje me rëndësi universale, lindja, në Vendin e Judës, e një sundimtari, që do të sillte shpëtimin.
Ç’mund të themi përballë gjithë këtyre studimeve? E edhe përballë sigurisë me të cilën këta tre dijetarë nisen drejt Jeruzalemit? Ndonëse kjo është një çështje, që duhet ta lëmë të hapur. Bashkërenditja yjore mund të ishte një impuls, një shenjë e parë për nisjen, por nuk do t’u kishte folur këtyre njerëzve, në se nuk do të ishin prekur edhe në një mënyrë tjetër: në shpirt, me shpresën se ky yll lindte nga Jakobi (Nm 24,17).
Në se Mbretërit, të udhëhequr nga ylli, në kërkim të mbretit të judenjve, përfaqësojnë lëvizjen e popujve drejt Krishtit, kjo do të thotë se kozmosi flet për Krishtin, por edhe se, për njeriun në kushte reale, gjuha e tij nuk është plotësisht e deshifrueshme. Gjuha e krijimit flet me mijëra fjalë. Ngjall në zemrën e njeriut ndjesinë e pranisë së Krijuesit. E edhe shpresën se një ditë Zoti do të dëftohet. Se njeriu mund ta takojë. Por njohja, që buron nga krijimi e konkretizohet në fetë, mund edhe ta humbasë drejtimin e duhur, duke e shtyrë njeriun të mos lëvizë për të shkuar përtej vetvetes, por të mbyllet brenda sistemeve, përmes të cilave beson se mund t’i përballojë me fuqitë e veta, fuqitë e fshehura të botës. Në rrëfimin tonë, kujton Papa në librin “Fëmijëria e Jezusit”, jemi para dy mundësive: ylli u prin Mbretërve kryesisht deri në Jude. Prej këndej, është fare e natyrshme që ata të shkojnë në qytetin mbretëror të Izarelit dhe të hyjnë në pallatin e mbretit. Aty duhet të kishte lindur mbreti i ardhshëm. Por, për të gjetur rrugën përfundimtare drejt trashëgimtarit të Davidit, kanë nevojë edhe për profecitë e Shkrimit Shenjt, për fjalët e Zotit të gjallë.
Duhet kujtuar se në botën e lashtë trupat qiellorë1 shikoheshin si pushtete hyjnore, që vendosnin mbi fatet e njerëzve. Planetet kishin emra hyjnish e, sipas mendimit të kohës, sundonin botën. Prej këndej, njeriu duhet të lidhte besë me ta. Besimi në një Zot të vetëm, dëshmuar nga Bibla, i çmitizoi menjëherë, kur në rrëfimin mbi krijimin, i quajti diellin e hënën ‘kandila’ që Hyji, së bashku me aradhet e tjera të yjeve, i vari në kupën qiellore” (cfr Zan 1,16s)
Duke hyrë në botën pagane, feja e krishterë duhej të përballonte përsëri çështjen e hyjnive yjore. Prej këndej, në letrën që u shkruan Pali efezianëve nga burgu, ngulmon se Krishti i ngjallur e mundi çdo principatë e edhe çdo pushtet të ajrit, e tani sundon mbi gjithë universin. Në këtë vijë është edhe rrëfimi i yllit të Mbretërve: nuk është ylli ai, që vendos mbi fatin e Foshnjës, por Foshnja, që i prin yllit. Mund të flasim për një kthesë të vërtetë antropologjike: njeriu i pranuar nga Zoti – siç e tregon këtu në Birin e tij të vetëm - është më i madh se të gjitha forcat e botës materiale, vlen më shumë se mbarë universi.

1 Planetet e sistemit diellor sipas largësisë nga dielli janë: Mërkuri, Afërdita, Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani e Neptuni. Gjashtë prej tyre kanë satelitë natyrorë; secili prej planeteve të jashtme është i rrethuar nga rrathë planetarë prej pluhuri dhe grimcash të tjera. Të gjithë planetet, përveç Tokës, kanë emra perëndish dhe perëndeshash të mitologjisë greko-romake. Jupiteri (Zeus për grekët) ishte mbreti i zotave, princi i Olimpit dhe mbrojtës i shtetit romak. Zeus ishte i biri i Cronus (Saturni).







All the contents on this site are copyrighted ©.