2012-12-27 12:16:09

Krishtlindja me Papën: “Kush ishin Mbretërit Dijetarë?”


“Kush ishin Mbretërit Dijetarë, ‘mágoi’?”. Pikërisht kësaj pyetjeje i jep përgjigje emisioni i 20-të i rubrikës “Krishtlindje me Papën”, duke shfletuar veprën “Fëmijëria e Jezusit”. E, pas kësaj pyetjeje, Benedikti XVI bën menjëherë një pyetje të dytë: “Ç’ njerëz ishin këta, që Mateu i quan ‘Mbretër të ardhur nga Lindja?”. Termi ‘mágoi’, sipas burimeve përkatëse, ka një gamë të vërtetë kuptimesh, që shtrihet nga kuptimi më pozitiv, në atë më negativ.
Katër, kuptimet kryesore. Së pari termi mágoi përdorej për njerëzit, që i përkisnin kastës priftërore persiane. Së dyti, në kulturën helenistike, për përfaqësuesit e fesë së vërtetë, ndonëse me ide të ndikuara fuqimisht nga mendimi filozofik e, prej këndej, shpesh filozofët grekë paraqiteshin si ndjekësit e tyre (cfr Delling art. mágos). Edhe vetë Aristoteli flet për punën filozofike të ‘mágoi’ (cfr.ibid).
Kuptimet e tjera, kujtuar nga Gerhard Delling, janë: njerëz që kanë e praktikojnë një dije e një forcë të mbinatyrshme, e edhe shtriganë. E së fundi, mashtrues e magjistarë. Në Veprat e Apostujve, Pali e quan një magjistar me emrin Bar-Iesus, njeri plot me gënjeshtra e dredhi, bir i djallit, armik i betuar i çdo drejtësie, që nuk pushon s’i shtrembëruari udhët e Zotit” (13,10).
Ky kuptimi i dyfishtë i termit mágoi, hedh dritë edhe mbi kuptimin e dyfishtë të përmasës fetare, si e tillë. Besimi fetar mund të bëhet udhë drejt njohjes së vërtetë, udhë drejt Jezu Krishtit. Por, kur përballë pranisë së Krishtit, nuk ia hap zemrën e i kundërvihesh të vetmit Zot e Shëlbues, ai bëhet djallëzor e shkatrrimtar.
Në Besëlidhjen e Re takojmë, kështu, të dy kuptimet e fjalës ‘mágoi’. Në rrëfimin e Mateut për Mbretërit, dija fetare e filozofike është forcë, që i vë njerëzit për udhë; është dije, që të çon përfundimisht drejt Krishtit. Ndërsa në Punët e Apostujve, gjejmë kuptimin tjetër të magjistarit, që rri përkrah djajve, të mundur tashmë nga Zoti.
Në veprën “Fëmijëria e Jezusit” Papa shpjegon me hollësi rolin e astronomëve të Babilonisë, në zhdukje e sipër, praninë e të cilëve e vërtetojnë pllakat kuneiforme, me llogaritje astronomike. Prej shënimeve të tyre mbi lëvizjen e yjeve, mësojmë datën e lindjes së Jezusit në vitet 7-6 para Krishtit, që sot njihet si koha e vërtetë e lindjes së Zotit. Llogaritjet e astronomëve të Babilonisë përcaktojnë jo vetëm kohën, por edhe tokën e Judesë si dhe emrin e një të posalinduri si “mbret i Judenjve”.
Njerëzit, për të cilët flet Mateu, nuk ishin vetëm astronomë. Ishin më tepër. Ishin “dijetarë”, përfaqësonin dinamikën e daljes nga vetvetja, tipike për fetë, dinamikë, që është kërkimi i së vërtetës, i Zotit të vërtetë e, prej këndej, filozofi në kuptimin fillestar të fjalës. Kështu dija e shëron edhe mesazhin e “shkencës”: racionaliteti i këtij mesazhi nuk ndalej vetëm tek dija, por kërkonte kuptimin në tërësi, duke e çuar kështu, arsyen, në majat më të larta të mundshme.
Prej këndje mund të themi me plot gojën se Tre Mbretërit përfaqësojnë shtegtimin e feve drejt Krishtit, si dhe vetëkapërcimin e shkencës, në lidhje me Zotin. Ndodhen, në një farë mënyre, në ndjekje të Abrahamit, që ishte i thirrur nga Zoti. Në një mënyrë tjetër, pas Sokratit e kërkimit të tij për të vërtetat më të mëdha, përtej fesë zyrtare. Në këtë mënyrë, këta njerëz pararendës, pionierë, kërkues të së vërtetës, u përkasin të gjitha kohëve.
Tradita e Kishës, në mënyrë të natyrshme, e lexoi tregimin e Krishtlindjes në sfondin e Izaisë (1,3) e në këtë mënyrë, në Shpellën e Betlehemit arritën kau e gomari, e pas tyre, edhe rrëfimi mbi shtegtimin e mbretërve, parë në dritën e Psalmit 72,10 e të Izaisë (60). Në këtë mënyrë Dijetarët e ardhur nga Lindja u bënë mbretër e bashkë me ta, hynë në Shpellën e Betlehemit edhe devetë e dromedarët. E u paraqitën si përfaqësues të tre kontinenteve të njohura asokohe: Afrikës, Azisë e Evropës. Mjafton vetëm pamja e tyre, për t’u bindur se në mbretërinë e Jezu Krishtit nuk ka dallim racash, as prejardhjeje. Në Të e për Të, njerëzimi bëhet një, pa e humbur pasurinë e larmive!
Më vonë tre Mbretërit u lidhën edhe me tri stinët e jetës së njeriut: rininë, pjekurinë e pleqërinë, për të theksuar se të gjitha moshat kanë vendin e tyre në bashkim me Jezusin e se njerëzimi ecën pas tyre në udhën e gjatë, drejt skajit të kohës së matur, me rrahje miliona zemrash, në kërkim të një Emri!Si përfundim, mund të themi se dijetarët e Lindjes përurojnë një procesion që përshkon mbarë historinë, përfaqësojnë shtegtimin e njerëzimit, shpresat e shpirtit, lëvizjen e feve e të arsyes njerëzore, drejt Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.