2012-12-26 15:30:17

Në festën e Shën Shtjefnit, Benedikti XVI i fton besimtarët të jenë dëshmitarë bindës e guximtarë të Krishtit.


Sipas shembullit të Shën Shtjefnit, të japim dëshmi bindëse e guximtare: është ftesa drejtuar gjithë të krishterëve nga Benedikti XVI në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot.
“Martir i parë”; “njeri plot me hir”, diakoni Shtjefën punoi, foli e vdiq i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, duke e dëshmuar dashurinë e Krishtit deri në flijimin e jetës. Realizoi, kështu, plotësisht, kujtoi Benedikti XVI në ditën e festës së Martirit, premtimin e Jezusit, sipas të cilit besimtarët e thirrur për ta dëshmuar në rrethana të vështira e të rrezikshme, nuk do të jenë kurrë të braktisur e as të pambrojtur. Shpirti i Zotit do të flasë me ta.
Martiri i parë vuan, duke i përngjarë plotësisht Krishtit, duke përsëritur, deri në hollësi, mundimet e Tij. Ai është i formuar krejtësisht nga Zoti, është bërë një me Jezusin. Në fundin e jetës së tij, përsëriten mundimet e Krishtit. Prej këndej, në çastin e fundit, Shtjefni, i gjunjëzuar, lutet si Krishti në kryq, duke e lëshuar shpirtin në dorë të Zotit e duke i falur armiqtë. Zot, kërkon ndër grahma, mos i fajëso për këtë mëkat:
“Të tërhiqesh pa ngurrim nga Krishti, siç bëri Shën Shtjefni, do të thotë t’ia hapësh jetën tënde dritës, që e josh, e drejton, e bën të përshkojë rrugën e mirë, të ecë sipas planit të dashurisë së Zotit”.
Shën Shtjefni është model për të gjithë ata, që dëshirojnë të vihen në shërbim të ungjillëzimit të ri:
"Ai tregon se risia e kumtimit nuk ka të bëjë në radhë të parë me metodat ose teknikat origjinale, të cilat natyrisht janë të nevojshme, por me praninë e Shpirtit Shenjt, me dëshirën për të ecur atje, ku prin Shpirti i Zotit”.
Prej këndej, pohimi se kumtimi mund të përtërihet duke hyrë në thellësi të misterit të Krishtit, duke e përvetësuar Fjalën e Tij:
“Në thelb, ungjillëzimi bëhet i aftë për t’ua çuar Krishtin të tjerëve në mënyrë të frytshme, kur jetohet në Krishtin, kur risia e Ungjillit dëshmohet me vetë jetën e njeriut, që e kumton”.
Në përfundim, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:
“Ta lusim Virgjërën Mari që Kisha, në këtë Vit të Fesë, të shikojë si shtohen radhët e burrave e të grave që, si Shën Shtjefni, dinë të japin dëshminë bindëse e guximtare të Zotit Jezus”.
Në fund, pas lutjes mariane, Papa i përshëndeti të gjithë besimtarët e pranishëm fizikisht në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe ata që, në Shesh shpirtërisht, e ndiqnin nga mjetet e panumërta të komunikimit masiv, në të katër anët e Planetit:“Të gjithëve, ju uroj gëzuar festën, në dritën e në paqen e Lindjes së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.