2012-12-26 13:57:07

Krishtlindja me Papën: “Mbretërit dijetarë të Lindjes: kuadri historik e gjeografik i tregimit”.


Emisioni i 19-të i rubrikës “Krishtlindje me Papën”, i kushtohet kuadrit historik e gjeografik të tregimit, që bën fjalë për Dijetarët e Lindjes. Vështirë të ketë ndonjë rrëfim tjetër biblik, na kujton Papa Racinger, që ta ketë ngacmuar kaq shumë fantazinë, por edhe kërkimin shkencor e reflektimin, sa rrëfimi mbi Mbretërit Dijetarë, ardhur nga Lindja, rrëfim që, tek Mateu ungjilltar, pason menjëherë lajmin mbi lindjen e Jezusit: “Pasi Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe se prej Lindjes ia behen në Jeruzalem disa Dijetarë [astrologë] e pyetën: ‘Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse pamë duke lindur yllin e tij e erdhëm ta adhurojmë”(2,1s).
Gjëja e parë, që na bie në sy në këtë rrëfim, është kuadri i mirëpërcaktuar historik, përmes kujtimit të mbretit Herod dhe vendit të lindjes, Betlehemit. Kemi, pra, një personazh historik dhe një vend gjeografikisht të përcaktueshëm. E megjithatë, në të dy rastet, janë bërë interpretime të ndryshme. Rudolf Pesch, në vëllimin e tij “Tregimi i Krishtlindjes, sipas Mateut”(Die matthäischen Weihnachtsgeschichten), e përshkroi me forcë simbolikën e figurës së Herodit: “Ashtu si në Ungjillin e Krishtlindjes (Lk 2,1-21) në fillim kujtohet emri i perandorit August, kështu në rrëfimin e Mateut kujtohet “mbreti i Judenjve”, Herodi. Në se atje perandori ishte antipodi i Foshnjës së sapolindur, me pretendimin për të sjellë paqen në mbarë botën, këtu antipod është mbreti, i cili sundon pikërisht falë perandorit, duke e bërë këtë me pretendimin, pothuajse mesianik, se ishte ai shëlbuesi, të paktën për mbretërinë judaike(fq.23s).
Betlehemi është vendlindja e mbretit David. Gjatë tregimit, kuptimi teologjik i këtij vendi do të vihet në pah edhe më drejtpërdrejt, përmes përgjigjes, që skribët i japin pyetjes së Herodit për vendin ku duhej të lindte Mesia. Fakti se me shtesën “i Judesë” pozita gjeografike përcaktohet më me saktësi, ndoshta ka në vetvete edhe një kuptim teologjik. Në bekimin e Jakobit, patriarku i thotë të birit, Judës, në mënyrë profetike: “Nuk ka për t’iu hequr skeptri Judës; as shkopi i sundimit nga këmbët e tij, përderisa të mos vijë ai, të cilit ky shkop i përket e të cilit duhet t’i rrijnë në ndigjesë popujt”(Zan 49,10). Në një rrëfim, që trajton arritjen e Davidit përfundimtar, mbretit të posalindur të judenjve, shpëtimtarit të mbarë popujve, kjo profeci, në një farë mënyre, është për t’u perceptuar në sfond.
Njëherësh me bekimin e Jakobit, duhet lexuar edhe një fjalë që, sipas Biblës, e tha profeti Baalam. Në vitin 1967, në Transjordani u zbulua një mbishkrim, në të cilin duket Baalami, biri i Beorit, si vegimtar i perëndive vendase, që kumtonte fatmirësi e fatkeqësi (cfr Hans-Peter Müller, art. Bileam). Bibla e kujton si shortar në shërbim të mbretit të Moabit, i cili i kërkon ta mallkojë Izraelin. Po ky mallkim, që Moabi përgatitet ta lëshojë, pengohet nga Hyji, na kujton Papa Racinger në librin kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit”. E është Hyji vetë ai, që e shndërron mallkimin e profetit në bekim për Izraelin. Por pavarësisht nga kjo, Bibla e zhvlerëson profetin, si prijës në idhujtari e idhujtar. Ai vdes me një vdekje, që shikohet si dënim (cfr Nm 31,8;Gs 13,22). Prej këndej, fiton edhe më shumë rëndësi premtimi i shëlbimit, atribuar një njeriu, i cili nuk ishte hebre e u shërbente perëndive të tjera; premtim që, me sa duket, njihej edhe jashtë Izraelit: “Po e shoh, por jo për tash; po e vërej, por jo për së afërmi: një Yll po del në qiell të Jakobit e një skeptër po lartohet prej Izraelit…”(Nm 24, 17).
Mateu, të cilit i pëlqen t’i paraqesë ngjarjet e jetës e të veprës së Jezusit si realizim i profecive të Besëlidhjes së Vjetër, çuditërisht nuk e citon këtë tekst, me rol të rëndësishëm në historinë e interpretimit të fragmentit të Dijetarëve të Lindjes. Sigurisht Ylli, që shkëlqen mbi botën, duke i përcaktuar edhe fatet e saj, për të cilin flet Baalami, nuk është trup qiellor: është vetë mbreti, që duhet të vijë. Lidhja ndërmjet yllit e mbretërimit, mund të ketë ngjallur idenë e një ylli. Yll i këtij mbreti. Yll, që të çonte kah Ai.
Kështu mund të hamendësohet se kjo profeci jo hebreje, “pagane”, qarkullonte në ndonjë formë, jashtë judaizmit e ishte objekt reflektimi për njerëzit në kërkim. Në kërkim të atij ylli, që tani po derdhte rrezet prej kupës qiellore mbi Shpellën, ku kishte zbritur nga lart Ylli i vërtetë, Drita pa perëndim mbi njerëzimin e mbetur në errësirë prej shekujsh. E zemrat e qëndrueshme rroknin Dashurinë e pamort.
Ndërkaq Benedikti XVI rikthehet edhe një herë tek pyetja: “Si është e mundur që njerëz jashtë Izraelit shikonin pikërisht në “mbretin e Judenjve”, atë që do sillte shpëtimin e tyre?”. E, duke kujtuar Tre Mbretërit, vijon me një pyetje të dytë: “Kush ishin ‘Dijetarët”? Përgjigjja, në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.