2012-12-25 16:44:14

Papa në Mesazhin ‘Urbi et Orbi': Krishti sjelltë paqe në Siri, në Tokën e Shenjtë e në Afrikë: “Ka shpresë në botë”.


Lindja e Jezusit bëri të mugullojë një tokë e mirë, e lirë nga çdo egoizëm e çdo mbyllje, pavarësisht nga konfliktet e urgjencat, që vijojnë ta trondisin. E pohoi këtë, sot paradite, Benedikti XVI në Mesazhin e tij festiv ‘Urbi et Orbi’, në mesditën e solemnitetit të Krishtlindjes, sipas traditës, në lozhën qëndrore të Bazilikës së Vatikanit. Papa bëri posaçërisht thirrje për paqen në Siri, në Tokën e Shenjtë e në Afrikë, duke e përfunduar mesazhin me urimet e Krishtlindjes, shqiptuar në 65 gjuhë.
As luftërat më të tmerrshme e as mizoritë më të mëdha mbi faqe të tokës, nuk mund ta zhdukin kurrë e as ta errësojnë sigurinë e krishterë se në botë ekziston shpresa, ashtu si ekzistojnë paqja e dashuria, sepse pikërisht nga toka, dymijë vjet më parë, mbiu e vërteta e Hyjit, që u bë njeri. Benedikti XVI i nisi me fjalët paqtore të një Psalmi të lashtë, urimet për Krishtlindje, drejtuar një bote, që vijon të tronditet ende sot nga shumë kriza. Bota vuan nga konflikte e emergjenca humanitare, të cilat Papa i kujtoi në Mesazhin ‘Urbi et Orbi’, duke bërë që zëri i tij të jehojë në të gjitha kontinentet e të dëgjohet nga të gjitha qeveritë, që vlerat absolute të paqes e të respektit të gjejnë kudo drejtësi e qytetari. Duke nisur nga Siria e nga njerëzit e saj, thellësisht të përçarë e të plagosur – tha Papa - nga një konflikt, që nuk i kursen as të pambrojturit e shkakton viktima të pafajshme:
“Edhe një herë bëj thirrje t’i jepet fund gjakderdhjes, të krijohen lehtësira për t’i ndihmuar refugjatët e të shpërngulurit e, përmes dialogut, të gjindet rrugëdalja politike nga konflikti. Paqja mbiftë nga Toka, ku lindi Shëlbuesi, e Ai u dhuroftë izraelitëve e palestinezëve guximin për t’u dhënë fund viteve të pafundme të luftërave e të përçarjeve e për të rifilluar vendosmërisht udhën e bisedimeve”.
Të njëjtin urim Papa e bëri edhe për Vendet e Afrikës Veriore, që po kalojnë nëpër një periudhë të thellë tranzicioni, në kërkim të një ardhmërie të re, posaçërisht në Egjipt, tokë e dashur dhe e bekuar nga fëmijëria e Jezusit. Të gjithëve Benedikti XVI u uroi të ndërtojnë së bashku shoqëri të bazura mbi drejtësinë, respektin, lirinë e dinjitetin e çdo njeriu. E, duke e zhvendosur shikimin më në jug të Kontinentit, shtoi:
“Lindja e Krishtit ndihmoftë për kthimin e paqes në Mali e të harmonisë në Nigeri, ku atentate mizore terroriste vijojnë të shkaktojnë viktima, posaçërisht ndër të krishterët. Shëlbuesi i ndihmoftë e i ngushëlloftë refugjatët e Lindjes së Republikës Demokratike të Kongos e i dhuroftë paqen Kenias, ku atentate gjakatare goditën popullsinë civile e vendet e kultit”.
Më pas Azia. Krishti Fëmijë, pohoi Papa, i shikoftë mirësisht popujt e shumtë, që jetojnë në këto troje e, në mënyrë të veçantë, ata që besojnë në Të:
“Mbreti i paqes i sjelltë sytë e tij kah Drejtuesit e rinj të Republikës Popullore kineze, përballë detyrës, që i pret. Uroj ta vlerësojnë ndihmën e feve, duke i respektuar, në mënyrë që të mund të japin ndihmesën e tyre për ndërtimin e një shoqërie solidare, në dobi të këtij populli fisnik e të mbarë botës”.
Papa bekoi edhe besimtarët e shumtë, që e kremtojnë Krishtlindjen në Amerikën Latine dhe uroi që Krishti Fëmijë t’i mbështesë posaçërisht emigrantët dhe qeveritë në impenjimin për zhvillimin e në luftën kundër kriminalitetit.
Prania mbi tokë e njeriut, lindur në Betlehem nga Maria, pohoi Papa në përfundim, është garanci, që na siguron se ekziston një tokë e mirë:
“Kjo tokë ekziston, e edhe sot, në vitin 2012, nga ky truall mbiu e vërteta! Prandaj ka gjithnjë shpresë në botë, shpresë të besueshme, edhe në çastet më të vështira.
Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!”.
Papa e përsëriti urimin e Krishtlindjes 65 herë, në 65 gjuhë e të folme të ndryshme, nga evropianet, tek arabet; nga gjuha aramajke, në gjuhët e Lindjes së largët. Kështu urimi “Gëzuar Krishtlindjen!” fluturoi, në krahët e erës, nga Urbe, Roma, nëpër shtigjet e pafundme të Orbe – Botë. E, natyrisht, edhe në Shqipëri, me urimin, që i priu programit tonë të sotëm: “Për shumë vjet Krishtlindjen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.