2012-12-25 17:04:43

Imzot Avgustini: Lindja e Krishtit në Betlehem na flet se, Zoti na do!


Letra e ipeshkvit të Sapës për Krishtlindje 2012
“Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet” (Gjn 1, 18)
Të dashur besimtarë,

Krishtlindja erdhi, e ardhtë e bardhë!
Nëpërmjet kësaj letre dëshiroj që të arrijë tek ju të gjithë, për t’ju dhënë porosinë time dhe për t’ju uruar Krishtlindjen.
Po përfundojmë edhe një vit kalendarik dhe mund të them me gjithë zemër se, ky vit për dioqezën tonë ka qenë kohë hiri dhe bekimi duke e pasur parasysh kremtimin e 950 vjetorit të themelimit të Ipeshkvisë së Sapës, por edhe kohë dhimbjeje dhe prove, sidomos me kalimin në amshim të dy meshtarëve, Don Genc Tuku dhe Don Antonio Sciarra.
Si të krishterë, duhet që shikimin ta drejtojmë gjithmonë lartë kah qielli, me fe dhe shpresë por edhe me falënderim ndaj Zotit për dhurimin dhe zbrazjen e hireve të tjera në këtë Vit të Fesë, nëse dimë t’ia hapim zemrën Atij që po vjen, i cili e mori natyrën tonë njerëzore për të na dhuruar bijësinë hyjnore.
Krishtlindja është Dëftim dhe zbulim i një ngjarjeje të madhe, asaj të të mishëruarit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dëftim dhe zbulim i dashurisë së Zotit për njeriun.
Foshnja e Betlehemit i kujton njeriut misionin e madh: atë të shpalljes së Hyjit mes nesh, t’i sjellë botës porosinë e shpresës dhe të shëlbimit! “Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm që është Hyj,një natyre me Atin, Ai bëri të njihet” (Gjn 1, 18).

Krishtlindja është me e kërkuar dhe me e njohtë Zotin

Lindja e Krishtit në Betlehem na flet se, Zoti na do dhe dëshiron që këtë t’ua zbulojë të gjithëve. Ai na do pakufi, nuk na braktisë kurrë dhe nuk na le të vetmuar në qoftë se ne e kërkojmë dhe ia hapim zemrën. Ai na flet, sado që njeriu në kërkimet dhe bredhjet e tija larg së vërtetës i lëshuar në aventurat e materializmit dhe konsumizmit e harron atë.
Ai na flet dhe thërret; na thërret që ta njohim! E thërret secilin për emër dhe zbulon krejt dashurinë e faljes e të pajtimit duke na kërkuar i pari, dhe kur na gjen dëshiron të na marrë për dore e të na drejtojë në rrugën e drejtë.
Nuk na detyron që ta duam e ta pranojmë. Jo. Pranimi dhe dashuria ndaj Zotit që shfaqet nëpërmjet besimit apo fesë nuk është sikurse ato ideologji të cilat e shtrëngojnë apo e detyrojnë njeriun, ndoshta edhe me dorë të hekurt të dhunës e frikës, për ta manifestuar apo përqafuar ate. Feja e jonë është takim me Krishtin e gjallë. Zoti që është Dashuri besohet me dashuri dhe besnikëri. Të shkojmë në Betlehem! - Është thirrja e vazhdueshme e Kishës për ta takuar Krishtin. Mund ta takojmë nëse ia hapim zemrën. Rrugët për ta gjetur janë: lutja e vazhdueshme, kjo është më e fuqishme dhe më e frytshme kur bëhet në bashkësi; ecja e vazhdueshme në fe; dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe pjesëmarrja në Eukaristi, rreth së cilës lind e rritet Kisha, familja e madhe e të krishterëve.

Krishtlindja është me e njohtë Zotin dhe me dëshmua për të

Hapja e zemrës do me thënë njohja e të vërtetave të fesë dhe dëshmimi për to të tjerëve. Sikurse barinjtë që e gjetën Zotin, e njohën, besuan dhe dëshmuan plot gëzim duke lavdëruar dhe madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar dhe parë. (krah Lk 2, 20)
Besimtarë të mi të dashur, sikurse dikur barinjtë që i thanë njëri-tjetrit, ejani të shkojmë në Betlehem, ashtu edhe ne, duhet që sot të jemi ata që thërrasim vëllezërit dhe motrat tanë që janë larg Kishës, apo janë tanë të ftohtë në zemër për nga besimi, apo që i ka kapluar gjumi i ideologjive mashtruese dhe i janë larguar Zotit. Ejani të shkojmë në Betlehem! Po, në Betlehem mësojmë të meditojmë, ta bëjmë thesar tonin të vërtetën, të drejtën, pastërtinë, sinçeritetin, dashurinë, fisnikërinë dhe bujarinë. Mësojmë të dhurojmë, sepse këtu jeta takon Jetën dhe merr prej saj dritë, drejtim, ndihmë, ngushëllim dhe tërheqje nga e mira.

Krishtlindja është të jetojmë në bashkësi të lumtur

Rreth Jezusit Foshnje ndihet gëzimi dhe kënga, shihet qartas lulëzimi i jetës. Atij njerëzimi i drejtohet plot besim, bashkë me peshën e ditëve dhe ngarkesën e shpresave. Foshnja hyjnore shenjtëron marrëdhëniet familjare; duke lindur në një familje, i jep dukshmëri e vlerë familjes.
Shumë të dashura familje, jetoni në bashkësinë e besimit dhe të dashurisë. Angazhohuni që të sillni, ta mbani dhe ta forconi në shtëpitë tuaja lutjen e përbashkët. Aty ku familja lutet e bashkuar largohen kundërshtimet, mosmarrëveshjet dhe shamatat; largohen padrejtësitë dhe dhuna; largohen poshtërsirat dhe egoizmet; zemra ndryshon dhe forcohet feja; rritet siguria e pranisë së Zotit në jetën tonë dhe në këtë mënyrë edhe në vuajtje do të dimë ta njohim fytyrën e Zotit që nga nata e Lindjes në Grazhd e deri në dritën e Ringjalljes dhe të lumturisë.
Takimi me Krishtin në grazhdin e Betlehemit i jep kuptim jetës. Uroj që të gjithë ta gjejmë Zotin, ta takojmë atë dhe plot gëzim të kthehemi në përditshmërinë e jetës sonë duke e lavdëruar dhe duke dhënë dëshmi për gëzimin e takimit.
Për shumë vjet Krishtlindja dhe paqi bekime dhe hire prej Zotit në Vitin e Ri 2013!
I juaji
Imzot Lucjan Avgustini








All the contents on this site are copyrighted ©.