2012-12-25 12:33:43

Benedikti XVI: Mesazhi i Krishtlindjes dhe Bekimi Urbi et Orbi


“Veritas de terra orta est!” – “ E vërteta mbiu nga toka!”(Ps.85,12).
Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë Botës, gëzuar Krishtlindjen, ju e familjeve tuaja!
Urimin tim të Krishtlindjes sivjet po e shpreh me këto fjalë, shkëputur nga një Psalm: “E vërteta mbiu nga toka”. Në tekstin e Psalmit, në të vërtetë, e gjejmë në të ardhmen: “E vërteta do të mbijë nga toka”: është kumt, premtim, i shoqëruar me shprehje të tjera që, së bashku, tingëllojnë kështu: “Dashuria dhe e vërteta do të takohen,/ drejtësia e paqja do të merren ngrykë./ E vërteta do të mbijë nga toka/ e drejtësia do të duket nga qielli./ Sepse Zoti do të japë të mirat e veta/ e toka, frytin e vet;/ para tij do të ecë drejtësia:/ hapat e tij do të tregojnë udhën” (Ps. 85,11-14).
Sot ky premtim profetik u përmbush! Në Jezusin, lindur në Betlehem nga Maria Virgjër, dashuria e vërtetësia u takuan përnjëmend, drejtësia e paqja u morën ngrykë, e vërteta mbiu nga toka e drejtësia shikoi nga qielli. Shën Agostini e shpjegon kështu, shkurtimisht: “Ç’është e vërteta? Biri i Hyjit. Ç’është toka? Korpi. Pyet prej nga lindi Krishti, e do të shikosh pse e vërteta mbiu nga toka… e vërteta lindi nga Maria Virgjër” (En. Ps.84,13). E në një fjalim, mbajtur me rastin e Krishtlindjes, pohon: “Me këtë festë, që vjen vit për vit, kremtojmë ditën në të cilën përmbushet premtimi: ‘E vërteta mbiu nga toka e drejtësia shikoi nga qielli”. E Vërteta, që është në gjirin e Atit, mbiu nga toka, sepse ishte edhe në gjirin e një nëne. E vërteta, që mban mbarë botën, mbiu nga toka, që të mbahej nga duart e një gruaje. … E Vërteta, të cilës nuk i mjafton qielli, lindi nga toka, për t’u prehur mbi një grazhd. Për dobi të kujt një Hyj aq i lartë, u bë kaq i përvuajtur? Sigurisht jo për dobinë e vet, por për tonën, në se besojmë” (Sermones 185,1).
“Në se besojmë”. Ja pushteti i fesë! Hyji bëri gjithçka, bëri të pamundurën: u mishërua. Gjithëpushteti i tij i dashurisë realizoi atë, që mendja e njeriut nuk mund ta kuptojë: Pafundësia u bë ferishte, hyri në gjirin e njerëzimit. E megjithatë, po ky Zot, nuk mund të hyjë në zemrën time, nëse unë vetë nuk ia hap portën. Porta fidei! Porta e fesë! Mund të frikësohemi përballë gjithëpushtetit tonë, kthyer përmbys. Ky pushtet i njeriut për t’ia mbyllur portën Zotit, mund të të tmerrojë. Por ja edhe realiteti, që e davarit këtë mendim të errët; shpresa, që e mund frikën: e vërteta mbiu! Zoti lindi! “Toka e dha frytin e vet” (Ps 67,7). Po, është një tokë e mirë, një tokë e shëndoshë, e lirë nga çdo egoizëm e çdo mbyllje. Është në botë, një tokë, që Zoti e përgatiti për të ardhur e për të banuar ndër ne. Një banesë për praninë e tij në botë! Prandaj është edhe shpresa në botë, shpresa e besueshme, edhe në çastet më të vështira. E vërteta mbiu, duke sjellë me vete dashurinë, drejtësinë, paqen.
Po! Paqja mbiftë për popullin sirian, plagosur thellë e përçarë nga një konflikt, që nuk i kursen as të pambrojturit e shkakton viktima edhe ndërmjet të pafajshmëve. Edhe një herë bëj thirrje t’i jepet fund gjakderdhjes, të krijohen lehtësira për t’i ndihmuar refugjatët e të shpërngulurit e, përmes dialogut, të gjindet rrugëdalja politike nga konflikti.
Paqja mbiftë nga Toka, ku lindi Shëlbuesi, e Ai u dhuroftë izraelitëve e palestinezëve guximin për t’u dhënë fund viteve të pafundme të luftërave e të përçarjeve e për të rifilluar vendosmërisht udhën e bisedimeve.
Në viset e Afrikës Veriore, që po kalojnë nëpër një periudhë të thellë tranzicioni, në kërkim të një ardhmërie të re - posaçërisht në Egjipt, tokë e dashur dhe e bekuar nga fëmijëria e Jezusit – qytetarët ndërtofshin së bashku shoqëri të bazura mbi drejtësinë, respektin, lirinë e dinjitetin e çdo njeriu.
Paqja mbiftë në Kontinentin e pafundmë aziatik. Krishti Fëmijë i shikoftë mirësisht popujt e shumtë, që jetojnë në këto troje e, në mënyrë të veçantë, ata që besojnë në Të. Mbreti i paqes i sjelltë sytë e tij kah Drejtuesit e rinj të Republikës Popullore kineze, përballë detyrës, që i pret. Uroj ta vlerësojnë ndihmën e feve, duke i respektuar, në mënyrë që të mund të japin ndihmesën e tyre për ndërtimin e një shoqërie solidare, në dobi të këtij populli fisnik e të mbarë botës.
Lindja e Krishtit ndihmoftë për kthimin e paqes në Mali e të harmonisë në Nigeri, ku atentate mizore terroriste vijojnë të shkaktojnë viktima, posaçërisht ndër të krishterët. Shëlbuesi i ndihmoftë e i ngushëlloftë refugjatët e Lindjes së Republikës Demokratike të Kongos e i dhuroftë paqen Kenias, ku atentate gjakatare goditën popullsinë civile e vendet e kultit.
Krishti Fëmijë i bekoftë besimtarët e shumtë, që e kremtojnë në Amerikën Latine. Bëftë të lulëzojnë virtytet e tyre njerëzore e kristiane, i ndihmoftë ata, që detyrohen të largohen nga familjet e nga toka e tyre, i forcoftë qeveritë në impenjimin për zhvillimin e në luftën kundër kriminalitetit.
Të dashur vëllezër e motra! Dashuria e vërtetësia, drejtësia e paqja u takuan, u mishëruan në njeriun e lindur në Betlehem nga Maria. Ky njeri është Biri i Zotit, është Hyu, që u duk në histori. Lindja e Tij është filiz i jetës së re për mbarë njerëzimin. Uroj që çdo truall të bëhet tokë e mirë, që e mirëpret dhe e mugullon dashurinë, drejtësinë e paqen.

Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!

Benedikti XVI Mesazhi e Bekimi i Krishtlindjes 2012 Urbi et Orbi







All the contents on this site are copyrighted ©.