U përurua Shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan
Sot pasdite, Nata e Krishtlindjes, u përurua Shpella e madhe e Betlehemit, në zemër
të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan, pranë Bredhit, ardhur sivjet nga Molise. Në
përfundim të ceremonisë, e pikërisht në orën 18.00, sipas traditës, Ati i Shenjtë
ndezi në heshtje “Dritën e paqes” në pragun e dritares së studios së tij private.
Sivjet flaka, me të cilën Papa ndezi dritën, erdhi nga Betlehemi e pikërisht nga
Shpella ku lindi Jezusi. U ndez në Tokën Shenjte e u rindez sonte në Vatikan e në
në shumë vise të Evropës, sipas një tradite të vonë, nisur nga skautët austriakë
pak vjet më parë. Quhet prandaj edhe “Drita e Betlehemit”. Pak para ndezjes së
dritës, qindra besimtarë ndoqën kremtimin titulluar “Populli, që shtegtonte në errësirë,
pa një dritë të madhe”, me lutje e këngë korale, shoqëruar nga Banda muzikore e xhandarmërisë
së Vatikanit, që e përfundoi këtë çast prekës me këngën “Stille Nacht”. Sivjet
Shpella e Betlehemit, që vendoset çdo vit tek këmbët e Obeliskut, në kornizën e shkëlqyer
të shtyllave berniniane, është dhuratë e Bazilikatës. Duke ngritur në art ndjenjat
e banorëve të thjeshtë lukanë, të lidhur fort me Kishën universale e Bariun e saj,
Rajoni i Bazilikatës deshi t’i shprehë nderimin e thellë Shenjtërisë së Tij, Benediktit
XVI, përmes dhurimit të kësaj Shpelle monumentale Betlehemi, realizuar nga mjeshtri
Françesko Arteze, i cili konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të
shkollës jugore në fushën e këtij arti. Tradita e Shpellave të Betlehemit, e përtërirë
artistikisht përmes veprës së Artezes, që ekspozon prej vitesh në selitë më të njohura
Misterin e Familjes Shenjte, me vlerat e thjeshtësisë e të fesë, çmohet fort në trojet
lukane, siç dokumentohet nga një mori Shpellash Betlehemi të përhershme, që mund të
soditen në këtë zonë. Veçantinë e veprës së Artezes e shikojmë në mënyrë të posaçme
në krijimin e peizazhit të përthyer, karakteristik për qendrën historike të Materës,
që njihet me emrin Sassi di Matera, në inskenimin e jetës së përditshme të fshatarëve
vendas si edhe në krijimin e hollësive, që të kujtojnë edhe viset e Tokës Shenjte.
Na hapet parasyh një peizazh, pasurua nga veprimtaria e rregulltarëve të cilët, duke
jetuar në këto troje, i shndërruan në një banesë njerëzore, ku ndjehet fort shenjtëria,
duke ndërtuar përmbi shkëmbij e gërxhe, më se njëqind e pesëdhjetë e katër kisha,
manastire e shenjtërore. E janë pikërisht këto ngrehina të cilat, që nga mesjeta e
deri në shekullin XIX, i vunë vulën e identitetit kësaj zone, sot “Pasuri e Njerëzimit”
(UNESCO). E gjithë skenografia e Shpellës së Betlehemit, ndonëse e frymëzuar nga gjinia
ikonografike tradicionale, pasurohet me elemente, që riprodhojnë arkitekturën dhe
pamjet tipike të peizazhit lukan. Brenda kësaj skene dallohen menjëherë Kisha shkëmbore
e Shën Andout e ajo e Shën Nikollës së Grekëve. Sipër, ndërmjet mijëra çative, që
ngrihen njëra mbi tjetrën, spikat këmbanarja e Shën Pjetër Barisanit. Mjedisi njerëzor
është ai i fshatit lukan. Soditen njerëz, që merren me punë dore, mjeshtra të zanateve
tradicionale, të trashëguara nga ati tek biri. Shtatoret, më se njëqind copë, realizuar
në terrakotë, janë të veshura me rroba stofe, punuar me dorë, frymëzuar nga kostumet
tipike tradicionale të fshatarëve lukanë. E zhvendosur paksa më të djathtën e shikuesit,
duket skena e Lindjes së Jezusit, në të cilën artisti vendos pjesëtarët e Familjes
Shenjte, veshur me kostumet e traditës klasike. Shpella e Betlehemit, realizuar, si
zakonisht, nën kujdesin e Shërbimeve Teknike të Guvernatoratit të Qytet-Shtetit të
Vatikanit, shtrihet në një hapësirë prej 150 metrash katrore. Kompleksi arkitektonik
i veprës, realizuar plotësisht në poliestër, mbështetet mbi një strukturë prej metali
e druri me përmasa 11 me 13 metra. Në këtë mënyrë e gjithë vepra ngrihet rreth 90
centimetra mbi tokë, duke arritur lartësinë nga 6 deri në 8 metra. Ndriçimi, realizuar
nga skenografi Mario Karlo Garrambone, e nxjerr edhe më në pah veprën e Artezes, përmes
përdorimit të sistemeve teknologjike, që përdoren kryesisht në fushën e kinematografisë.