Kush nuk bëhet si fëmijët, nuk e kupton Krishtlindjen.
Krishti Fëmijë është Zoti-Dashuri, krejtësisht i çarmatosur, që nuk vjen për ta pushtuar
botën nga jashtë, por për t’u pranuar nga njeriu në liri. Ky është kuptimi i Krishtlindjes.
E të përqendrohemi tek tradita e lashtë e Shpellës së Betlehemit të Greços, që e sajoi
Shën Françesku rreth mase 800 vjet më parë. Skena e Natës së Krishtlindjes 1223,
në të cilën ishin të pranishëm banorët e një fshati të vogël, në Lacio të Epërm, e
ndryshoi përgjithmonë perceptimin e Lindjes së Krishtit në mendjen e në zemrën e të
krishterëve. Atyre, që e panë me sy, por edhe atyre, që do të vinin. Shpella e Betlehemit,
sajuar nga Shën Françesku në thjeshtësinë e një stalle të Greços, rikrijoi për herë
të parë skenën e gjallë e prekëse të lindjes së Krishtit. Me Shën Françeskun, Krishtlindja
hapi para syve të njeriut një përmasë të re. Nata e Greços i riktheu krishterimit
thellësinë e bukurinë e festës së Krishtlindjes. Ajo natë e edukoi popullin e Hyjit
ta kuptonte mesazhin e mirëfilltë, ngrohtësinë e veçantë. E mësoi ta donte e ta adhuronte
Krishtin si njeri (…). Me Shën Françeskun e Shpellën e tij të Betlehemit dolën në
pah dashuria e çarmatosur e Hyjit, përvujtëria e mirësia e atij, i cili u dëftohet
njerëzve në Mishërimin e fjalës, që t’u mësojë të jetojnë e të dashurojnë në një mënyrë
krejt të re. Shenjti i Asizit pati gjithnjë dëshirë ta provonte në mënyrë
konkrete, të gjallë e të prekshme, përvujtërinë e ngjarjes madhështore të Lindjes
së Krishtit. E ky perceptim bëhet edhe më i rëndësishëm, kur mendon se festa më e
lashtë e krishterimit nuk është Krishtlindja; janë Pashkët. 25 dhjetori, si datë
e lindjes së Krishtit u caktua rreth vitit 204, nga Hipoliti i Romës, ndërsa kremtimi
i Lindjes së Krishtit nisi pak më vonë, në shekullin IV, kur zuri vendin e festës
pagane të ‘Sol invictus”, diellit të pathyeshëm. Në se Pashkët e përqendrojnë vëmendjen
mbi pushtetin e Hyjit, që mund vdekjen, me Krishtlindjen. … del në
pah se lindja e Krishtit është fitorja e dritës së vërtetë mbi errësirën e së keqes
e të mëkatit. Megjithatë, atmosfera e veçantë dhe e thellë shpirtërore, që e rrethon
Krishtlindjen, u krijua në Mesjetë, falë Shën Françeskut të Asizit, që e dashuronte
thellësisht njeriun Jezus, Zotin- me-ne! Falë Shën Françeskut, populli
i krishterë mundi ta perceptonte se për Këshndella, Hyji u bë vërtetë Emanueli, Zoti-me-ne,
nga i cili s’ka pengesë as largësi që mund të na ndajë. Në këtë Foshnjë, Zoti na erdhi
aq pranë, u bë aq i afërt me secilin nga ne, sa të mund t’i flasim me ti e të krijojmë
me të një lidhje të përzemërt, plot dashuri, ashtu siç bëjmë me një të porsalindur. E
pikërisht në këtë Fëmijë shikojmë me sytë tanë forcën e përvujtë e çarmatosëse të
Hyjit-Dashuri. Zoti vjen pa armë, pa forcë, sepse nuk e ka ndër mend të na
pushtojë nga jashtë. Dëshiron që njeriu ta pranojë në liri të plotë; Hyji bëhet fëmijë
i ligshtë, për të fituar mbi mendjemadhësinë, mbi dhunën, mbi etjen e njeriut për
pasje e pushtet. E është vetë Jezusi që na e mëson, në Ungjill, mënyrën
sesi mund ta takojmë Hyjin e të shijojmë praninë e Tij, domethënë, si mund të pendohemi
e të bëhemi si fëmijët. Kush nuk e pret Jezusin me zemër fëmije, nuk mund
të hyjë në mbretërinë e qiellit: këtë deshi t’i kujtonte Shën Françesku krishterimit
në kohën e tij e në të gjitha kohët, deri më sot. Ta lusim Atin t’i dhurojë zemrës
sonë thjeshtësinë e njeriut, që në Fëmijën e Betlehemit shikon Zotin, pikërisht ashtu
si bëri Shën Françesku në Greço. (...) Këtë ju uroj përzemërsisht të gjithë juve,
familjeve tuaja e të dashurve tuaj. Për shumë vjet Krishtlindjen!. Festa
e madhe e Krishtlindjes frymëzon edhe përshëndetjet tradicionale me të cilat urojmë
njëri-tjetrit këtë festë. Dashuria, që Zoti i dëftoi njerëzimit në lindjen
e Krishtit, rritët në zemrat tuaja, dëshirën për t’u shërbyer vëllezërve. Qoftë për
ju, të dashur të sëmurë, burim ngushëllimi e paqeje. Ju frymëzoftë ju, bashkëshortë
të rinj, ta forconi premtimin, që ta doni besnikërisht njëri-tjetrin për gjithë jetën”. (Papa
Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme të 23.12.2009)