Nata e Shenjtë e Krishtlindjes, na kujton se shenja e Zotit është Foshnja, që na thërret
të jemi solidarë me fëmijët, sidomos ata që vuajnë. Të dashur vëllezër dhe motra, në
Ungjillin (Lk 2,11s) e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes dëgjojmë fjalën që Engjëjt
në Natën e Shenjtë u thanë barinjve e që tani Kisha na e thotë ne me zë të madh: “Sot
në qytetin e Davidit lindi një Shëlbues, që është Krishti Zot. Ja shenja për ju: do
të gjeni një fëmijë të mbështjell në shpërgënj që rri në një grazhd. (Lk 2,11s). Asgjë
të mrekullueshme, të jashtëzakonshme, asgjë të madhërishme që t’u jepet si shenjë
barinjve. Do të shohin vetëm një fëmijë të mbështjell ndër shpërgënj, i cili si të
gjithë fëmijët ka nevojë për kujdesin e së ëmës. Një fëmijë që ka lindur në një
stallë dhe prandaj nuk është në një djep, por në një grazhd. Shenja e Zotit është
fëmija dhe nevoja e tij që ka për ndihmë në varfërinë e vet. Vetëm me zemër barinjtë
do të mund të shikojnë se te Ky Fëmijë është kthyer në realitet premtimi i Izaisë
profet që dëgjuam kumton leximi i parë i kësaj feste: “Një fëmijë është lindur për
ne, na është dhënë një bir. Mbi shpatullat e tija ka shenjën e mbretërimit.” (Is 9,5). As
neve nuk na është dhënë një shenjë tjetër. Engjëlli i Zotit përmes mesazhit të Ungjillit,
na grishë edhe ne që të vihemi për rrugë me zemër të etshme për të parë Foshnjën që
pushon në grazhd. Shenja e Zotit është thjeshtësia. Shenja e Zotit është Foshnja.
Shenja e Zotit është Ai që bëhet i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të depërtuar
tek ne në histori e në kohë, kjo është mënyra e tij për të mbretëruar. Ai nuk vjen
me fuqi e madhështi të jashtme. Ai vjen si një foshnje – i pambrojtur e dhe nevojtar
për ndihmën tonë. Nuk don të na mposht me anë të forcës. Na e heq frikën e madhështisë
së Tij. Ai na kërkon dashurinë tonë prandaj edhe bëhet Foshnje. Nuk do asgjë tjetër
nga ne, përveç dashurisë sonë, përmes së cilës mësojmë të hyjmë në mendjen e Tij dhe
në vullnetin e Tij - mësojmë të jetojmë me Të dhe të zbatojmë me Të edhe përvujtërinë
e të hequrit dorë, që është pjesë e thelbit të dashurisë. Zoti u bë i vogël në mënyrë
që ne Ta kuptonim, Ta mirëprisnim, Ta donim. Etërit e Kishës në përkthimin greqisht
të Besëlidhjes së Vjetër, gjenin një fjalë të profetit Izaia, që edhe Pali e citon,
për të na treguar sesi rrugët e reja të Zotit ishin paralajmëruar qysh në Besëlidhjen
e Vjetër. Aty thuhej: “Zoti e ka bërë Fjalën e vet të shkurtër, e ka shkurtuar.” (Is
10,23; Rom 9,28) Etërit e interpretonin në një mënyrë të dyfishtë. Vetë Biri është
Fjala, Logos-i; Fjala e Amshuar është bërë e vogël – aq e vogël sa të hyjë në një
grazhd. Është bërë foshnje në mënyrë që Fjala për ne të bëhet e kapshme. Kështu
Zoti na mëson t’i duam të vegjlit. Na mëson kështu ti duam të lagështit. Na mëson
kësisoj respektin përballë fëmijëve. Foshnja e Betlehemit e drejton shikimin tonë
nga të gjithë fëmijët që vuajnë dhe të abuzuar nëpër botë, ata që kanë lindur si edhe
ata që nuk kanë lindur. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, udhëhiqen për në një botë dhune,
drejt fëmijëve që duhet të lypin, drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi dhe uria, drejt
fëmijëve që nuk provojnë asnjë lloj dashurie. Te të gjithë këta është Foshnja e Betlehemit
që na tërheq vëmendjen. Na tërheq Zoti që është bërë fëmijë. Le të lutemi në këtë
natë që rrezatimi i dashurisë së Zotit t’i përkëdhelë të gjithë këta fëmijë, dhe le
t’i kërkojmë Zotit që të na ndihmojnë që të bëjmë pjesën tonë, në mënyrë që të respektohet
dinjitetit i fëmijëve, që për të gjithë të lindë drita e dashurisë, për të cilën njeriu
ka më shumë nevojë sesa për gjërat materiale të nevojshme për jetesë. E me këtë
mbërritëm te domethënia e dytë që Etërit vinin në dukje të shprehja: “Zoti e ka shkurtuar
Fjalën e vet.” Fjala që Zoti na përçon në librat e Besëlidhjes së Vjetër, ishte bërë
përgjatë shekujve e gjatë. E gjatë dhe e ndërlikuar jo vetëm për njerëzit e thjeshtë
dhe analfabetë por madje edhe më tepër për njohësit e Shkrimit Shenjtë, për të urtit
që natyrisht ngatërroheshin në hollësira dhe në problemet që buronin, duke mos arritur
thuajse që të gjenin më një vizion të përgjithshëm. Jezusi e bëri “të shkurtër” Fjalën
– na bëri të shohim thellësinë e saj më të madhe dhe unitetin. Gjithçka na mëson Ligji
dhe profetët është përmbledhur – thotë – te fjalët: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë
zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, e me gjithë mendjen tënde.. Duaje të afërmin
tënd si vetveten.” (Mt 22, 37-40). Kjo është e gjitha – krejt besimi përmblidhet
në këtë akt të vetëm dashurie që përqafon Zotin dhe njerëzit. Por menjëherë lindin
pyetje: si mundemi Ta duam Zotin me gjithë mendjen tonë kur e kemi të zorshme ta gjejmë
me aftësinë tonë mendore? Si Ta duam me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë nëse kjo zemër
mezi arrin Ta shohë nga larg e percepton shumë gjëra kontradiktore në botë, të cilat
e fshehin fytyrën e Tij përballë nesh? Te kjo pikë takohen dy mënyrat me të cilat
Zoti “e ka bërë të shkurtër” fjalën e Vet. Ai nuk është më larg. Nuk është më i panjohur.
Nuk është më i paarritshëm për zemrën tonë. Është bërë foshnje për ne dhe me këtë
ka larguar çdo dyshim. Është bërë i afërm me ne, duke çuar në vend kësisoj edhe shëmbëlltyrën
e njeriut që shpesh na shfaqet aq e pakëndshme. Zoti u dhurua për ne. Dhuroi Vetveten.
Merr kohë për ne. Ai i Amshuari, që është mbi kohën, merr kohën, lartëson kohën tonë
pranë Tij. Krishtlindja është bërë festa e dhuratave për të imituar Zotin që ka dhuruar
Vetveten për ne. Ta lëmë zemrën tonë, shpirti ynë dhe mendja jonë të preken nga ky
fakt! Ndërmjet shumë dhuratash që blejmë dhe marrim të mos harrojmë dhuratën e vërtetë:
t’i dhurojmë njëri-tjetrit diçka nga vetvetja! T’i dhurojmë njëri-tjetrit kohën tonë.
T’ia hapim kohën tonë Zotit. Kështu shkrihet ankthi. Kështu lind gëzimi, kështu krijohet
festa. E të kujtojmë nëpër bankete festive të këtyre ditëve fjalën e Zotit: “Kur shtron
një banket, mos fton ata që e din se do të të ftojnë, por fto ata që nuk janë të ftuar
nga askush dhe që nuk janë në gjendje të të ftojnë (cfr Lk 14, 12-14). Dhe kjo do
të thotë pikërisht edhe se kur ti për Krishtlindje bën dhurata, mos u dhuro diçka
vetëm atyre që e di se pastaj do të të bëjnë dhurata, por dhuroju atyre që nuk marrin
dhurata nga askush dhe që e di se nuk mund të të japin asgjë në këmbim. Kështu ka
vepruar vetë Zoti: Ai na fton në banketin e tij të dasmës që ne nuk mund t’ia shpërblejmë,
e që mundemi vetëm ta pranojmë me gëzim. Le ta imitojmë! Të duam Zotin dhe duke u
nisur nga Ai, edhe njeriun, që të rizbulojmë pastaj, duke u nisur nga njerëzit Zotin
në një mënyrë të re. Kështu na shfaqet në fund edhe një domethënie e tretë e pohimit
mbi Fjalën bërë “të shkurtër” dhe “të vogël”. Barinjve iu tha se do ta gjenin foshnjën
në një grazhd për kafshët, që ishin edhe banorët e vërtetë të stallës. Duke lexuar
Izainë (1,3) Etërit dolën në përfundimin se në grazhdin e Betlehemit ishin edhe një
kà e një gomar. Në të njëjtën kohë e interpretonin këtë tekst në kuptimin që në të
gjendej një simbol i judejnve dhe i paganëve- pra i mbarë njerëzimit- të cilët kanë
nevojë secili në mënyrën e vet për një shëlbues: për atë Zot që u bë foshnje. Njeriu
për të jetuar ka nevojë për bukën, frytin e tokës dhe të mundit të tij. Por nuk jeton
vetëm me bukë. Ka nevojë për shujtë për shpirtin e tij. Ka nevojë për një kuptim që
ta përplotësojë jetën e tij. Kështu për Etërit grazhdi i kafshëve u bë simboli i altarit,
mbi të cilin pushon Buka që është Krishti vetë, ushqimi i vërtetë për zemrat tona.
Dhe shohim edhe një herë, sesi Ai është bërë i vogël: në pamjen e përvuajtur të ostes,
të një copëze buke, Ai dhuron Vetveten. Për të gjitha këto flet shenja që iu dha
barinjve dhe që na jepet edhe ne. Foshnja që na u dhurua, fëmija në të cilin Zoti
është bërë i vogël për ne. Të lusim Zotin të na dhurojë hirin që në këtë natë të vështrojmë
grazhdin me thjeshtësinë e barinjve që të përftojmë kështu gazmendin me të cilin ata
u kthyen nëpër shtëpi (cfr Lk 2,20). Ta lusim të na japë përvujtërinë dhe besimin
me të cilin Jozefi vështroi foshnjën që Maria kishte lindur nga Shpirti i Shenjtë.
Le të lutemi që ta na lejojë ta shikojmë me atë dashuri me të cilën edhe Maria e pati
kundruar. E të lutemi kështu që drita që barinjtë panë, të na ndriçojë edhe ne dhe
që të përmbushet në të gjithë botën ajo çka engjëjt kënduan atë natë: “Lavdi Zotit
në lartësitë qiellore dhe paqe në tokë njerëzve që ai don”. Ashtu Qoftë! (Homelia
e Benediktit XVI Meshës së Krishtlindjes në mesnatë në Vatikan më 25. 12. 2006.)
Liturgjia e Fjalës Gjendemi në natën
më të dashur të Vitit Liturgjik pas asaj të Pashkëve. Natë drite dhe gëzimi, natë
çlirimi dhe shpëtimi, natë mahnitjeje dhe dashurie. Është nata që po jetojmë. Isaia
tregon: “Populli që ecte në errësirë sheh një dritë të madhe”. Dhe ungjilltari
Luka përgjigjet: “Mos kini frikë, ja unë po ju shpall një gëzim të madh: sot lindi
për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zot; do të gjeni një foshnje të mbështjellë
në shpërgenj e të vënë në grazhd”. Një grazhd, një foshnje, Maria dhe Jozefi
në soditje: me të vërtetë është një Hyj misterioz Ai që sot ka lindur. Asnjë fakt
madhështor, asnjë vëmendje nga ana e njerëzve për këtë foshnje që po lind; vetëm disa
barinj të dëbuar nga shoqëria arrijnë në shpellën e Betlehemit. Ai gjendet në botën
që Ai vetë vazhdimisht krijon, por mbetet i fshehur, sepse vetëm kush është i varfër
në zemër dhe i përvuajtur mund të njohë hyjninë e kësaj Foshnjeje. Ai është një
Zot foshnje, i pambrojtur, i dobët. Një Zot që ka nevojë për gjithçka, që ka nevojë
për dashurinë tonë. Por shumë e mbysin duke e kthyer Krishtlindjen në një festë formale
dhe tradicionale. Të tjerë e mbysin Hyjin foshnje duke e ndaluar të rritet.
Jezusi nuk është një traditë vjetore, nuk është një mit, nuk është një përrallë.
Jezusi është pjesë e gjallë e historisë sonë njerëzore. Në Jezu Krishtin e mishëruar,
njeriu bëhet biri i Hyjit dhe mund t’i drejtohet Hyjit e ta thërrasë “Atë”.
Leximi
i pare (Is 9, 1-3. 5-6)
Hebrenjtë nën sundimin e asirianëve luteshin kështu:
“Ardhtë një njeri për ne në portat e qytetit!”. Është thirrja e një populli të
shtypur dhe të braktisur që pret njeriun e shpëtimit. Dhe njeriu i shumëpritur vjen
mes nesh, por është një foshnje, i varfër dhe i padobishëm. Në vend që të na
ndihmojë Ai kërkon ndihmë prej nesh. Është një foshnje që na kërkon që të angazhohemi
me të gjitha forcat tona për paqen dhe dinjitetin e njeriut.
Lexim prej
Librit të Isaisë profet
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe;
për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e
shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i
gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit
zgjedhën e tij të rëndë, lozën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse
na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë.
Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ
i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim mbi fronin
e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në
të drejtë e në drejtësi. Që tani e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit
të Ushtrive. Fjala e Zotit
Psalmi 96 (95)
Ref Sot për
ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot.
Këndoni Zotit një këngë të re! Mbarë
toka le t’i këndojë Zotit! Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij. _____________________________
Shpalleni
si një ditë për ditë shpëtimin e tij! Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, ndër
mbarë popujt mrekullitë e tija! _____________________________
Galdo, o qiell!
Gëzo, o tokë! Le të buçasë deti me ç’ka në të, le të gëzojë fusha me ç’gjendet
në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve. _____________________________ Leximi
i dytë(Tit 2, 11-14)
Në këtë natë nuk festojmë vetëm lindjen mallëngjyese
të një foshnjeje ardhur në botë në varfërinë e një stalle. Shën Pali pohon
se kjo foshnje është Hyji që është bërë i dukshëm, është shpëtimi ynë. Ai
është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar
me Atin.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin
të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit mosbesimit dhe dëshirave të shekullit
për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur
shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.
Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë që
Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit ALELUJA,
Aleluja. Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë Gëzim të madh për mbarë
popullin. Sot ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Aleluja.
Ungjilli(Lk 2, 1-14) Në një fshat të panjohur të Judesë, të shtypur nga
romanët, lind një foshnje, shenjë e shpresës. Lindja e Jezusit nuk merret vesh nga
të mëdhenjtë e kësaj bote, por njihet nga një grup barinjsh si Mesia i shumëpritur.
Lindja e tij është realizimi i profecive të vjetra, dhe shpallja e një ngjarjeje të
ardhme: Pashkët e çlirimit. Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas
Lukës
Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë
së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë.
Të gjithë shkonin të regjishtroheshin, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi,
pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit
të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar
bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë. Tashti, ndërsa ata po gjendeshin
atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet - të parëlindurin, e mbështolli
në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta. Barinjtë
dhe engjëjt Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për
të ruajtur grigjën e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti
e ata u trembën për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju
sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit
ju lindi Shëlbuesi - Krishti Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë
të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.” Engjëllit menjëherë iu bashkua
një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste: Lavdi Hyjit në më të
lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” Fjala e Zotit Emisionin
tonë kushtuar Natës së Shenjtë të Lindjes së Jezu Krishtit, mund ta dëgjoni këtu…….