2012-12-24 16:59:27

Krishtlindja me Papën: “Të shkojmë në Betlehem!”


Emisioni i 17-të fillon me ftesën që engjëjt i bënë barinjve, e Papa besimtarëve, në këtë Natë të madhe. Shën Luka, në Ungjillin e tij, e kujton kështu këtë çast të pashembullt: “Posa engjëjt u larguan në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: ‘Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi, ngjarjen që na e kumtoi Zoti”(Lk.2,15). Barinjtë ngarendën. Kështu pati shkruar Ugjilltari edhe për Marinë që, pas kumtit të Engjëllit për zënien e papërlyer, pati ngarendur tek kushërira e saj, në qytetin e Judës, ku banonin Zakaria dhe Elizabeta (cfr Lk 1,39). Natyrisht barinjtë i shtyn të vrapojnë edhe kureshtja njerëzore, duke dashur ta shohin të parët ngjarjen e madhe, që u qe kumtuar. Por më shumë se kureshtja, i shtyn zelli. Engjëlli i ftoi të vrapojnë për të parë lindjen e Shëlbuesit, të Mesisë, të Zotit, që pritej në shekuj nga mbarë gjithësia. E tani do të ishin ata, që do ta shikonin të parët.
Cilët të krishterë vrapojnë pa frymë sot, kur bëhet fjalë për gjërat e Zotit? E pra, në se ka gjëra, të cilat meritojnë vërtet nxitim, janë pikërisht gjërat e Zotit. Këtë Dëshiron të na e thotë, heshtazi, ungjilltari.
Engjëlli u pati treguar barinjve edhe shenjën, për ta njohur Shëlbuesin: do të gjenin një foshnjë, të mbështjellë në fasha e të vënë në grazhd. Nuk ishte ndonjë shenjë, që e bënte të dukshme lavdinë e Zotit aq, sa kush ta shikonte të mund të thoshte pa kurrfarë ngurrimi: “Po! Duket qartë se ky është Zotit i vërtetë i Botës”. Asnjë nga shenjat që priteshin. Në këtë kuptim shenja është e, njëkohësisht, nuk është shenjë: varfëria e Zotit është shenja e Tij e vërtetë. Por për barinjtë, që kishin parë shkëlqimin e Zotit mbi kullotat e tyre, kjo ishte më se e mjaftueshme. Kështu barinjtë besuan e u kthyen gjithë gëzim në banesat e tyre, duke lavdëruar e duke e lumnuar Hyjin, për atë që panë e që dëgjuan. Ashtu si kthehen besimtarët nga Mesha e mesnatës sonte, kur mbarë gjithësia këndon: “Lavdi Hyjit në më lartin qiell, e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër”(Lk 2,12-14).
Është koha për të vrapuar pas barinjve, për t’u marrë me punët e Atit, duke ecur në udhët, ku na prin Zoti-Njeri. Ai i njeh tepër mirë zemrat tona, shpesh prej guri, e na fton t’i bëjmë vend në ta, Zemrës së tij Hyjnore.
Sonte fijet e telefonit mbartin mijëra urime nëpër udhët e mbarë globit. Flokët e dëborës digjen në takimin me Dritën e valë të Shpellës së Betlehemit e njeriu ndërron zemër e fytyrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.