Krishtlindja: historiku i këngës “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”
Në këto ditë të mëdha e posaçerisht në këtë në atmosferë të Natës së Shenjtë të Lindjes
së Krishtit, me qindra herë kemi dëgjuar nëpër Kisha, në radio, në televizion e pranë
Shpellës së Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O
e qeta Natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet
e më të përhapurat në mbarë botën? Fjalët qenë shkruar natën e Krishtlindjes së
vitit 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të
Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc Xavier Gruber (1787-1863),
organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mohr, motivi muzikor qe
punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mohr e këndoi vetë këngën dhe e
shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gruber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen
menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”. Autorët e këngës
nuk figurojnë në asnjë enciklopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i
vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden në të
gjitha encikolopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha kryeveprat
e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur
nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive. Shumë shpejt kjo këngë
nisi të këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi,
françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “O e qeta Natë”,
dhe u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes
së vitit 1920. Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një nga përkthimet
më lirike e më prekëse të këngës: Flej, o Qielluer, Zojës në krahnuer. Flej,
mos kjáj, ndale at’ váj. Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet me fjetë, pse
n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtetë. Jezus për p’shtim të gjithë neve, Jezus
për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri, Ty gjithë dashtëni, rrin tuj
t’ruejtë, ambël prujtë,
Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë; Ka me
të ra mbi një krygjë ty me dekë ! Jezus për p’shtim të gjithë neve, Jezus për
p’shtim të gjithë neve! Ishte përkthim krejt i lirë i tekstit. Ndërkaq jezuiti
Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar shumë më besnik tekstit gjermanisht,
që nisi të këndohej në Kishat e etërve jezuitë e këndohet edhe sot: Nat’ e qetë,
Nat’ e shejtë, Krishti i lum sot ka le; Shih si qeshet e bukura f’tyr’, Me
sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’ Flej, o i bukuri, flej Flej, se shpresa je
Ti.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë Krishti f’mijë i Zoj’s Mari Qe, në prehen
sa mir’ po i rri, Ejt’këndojnë me brohori: Erdh i lumi Mesi Erdh i lumi Mesi.
Nat’
e qetë, Nat’ e shejtë, Me shpejti vijnë barijt Me shikue k’te bukuri, Me
adhrue njik’te fëmijë Krishti plot dashuni, Krishti plot dashuni!