Papa i fton të gjithë ta mikpresin Zotin, që po vjen, duke kujtuar posaçërisht të
sëmurët, të burgosurit, të moshuarit.
“T’i ngjasim Marisë në kohën e Krishtlindjes, duke vizituar njerëzit, që kalojnë çaste
të vështira”. Me këto fjalë Papa, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, komentoi
Ungjillin e së Dielës IV të Kohës së Ardhjes, që i paraprin Lindjes së Zotit e që
rrëfen vizitën e Marisë tek kushërira e saj, Elizabeta. Nësa të dyja gratë i afrohen
njëra-tjetrës, në ta takohen e njihen, në radhë të parë, frytet e kraharoreve të tyre:
Gjon Pagëzuesi e Krishti: “T’i përngjasim Marisë në kohën e Krishtlindjes,
duke u bërë vizita atyre, që kalojnë çaste të trazuara: të sëmurëve, të burgosurve,
të moshuarve e fëmijëve”. Skena e vizitës së Zojës tek Elizabeta, shpjegoi
Papa, shpreh edhe një herë me forcë e ëmbëlsi të veçantë, bukurinë e mikpritjes: ku
ka mikpritje reciproke, dëgjim, dëshirë për t’i bërë vend tjetrit, atje është vetë
Zoti e gëzimi, që vjen prej Tij: “Elizabeta e shtyrë në moshë simbolizon
Izraelin, që pret Mesinë, ndërsa Maria, në moshën e vashërisë, sjell me vete përmbushjen
e atij premtimi, që i përket mbarë njerëzimit”. Gratë, të dyja shtatzëna,
mishërojnë pritjen e të Priturin, nënvizoi Papa, duke i ftuar besimtarët ta imitojnë
edhe Elizabetën: "T’i ngjasim edhe Elizabetës, që e pret mysafirin si vetë
Zotin; pa e dëshiruar, nuk mund ta njohim kurrë Zotin; pa e pritur, nuk mund ta takojmë;
pa e kërkuar, nuk mund ta gjejmë”. Ky episod nuk bën fjalë për
një gjest të thjeshtë mirësjelljeje, por simbolizon, me thjeshtësi të madhe, takimin
e Besëlidhjes së Vjetër me Besëlidhjen e Re: “Galdimi i Gjonit në
kraharorin e Elizabetës është shenja e përmbushjes së shpresës: Zoti është duke e
vizituar popullin e vet”. Kur e lajmëroi për zënien e Shëlbuesit, Kryeengjëlli
Gabriel i pati folur Marisë edhe për shtatzaninë e Elizabetës, si provë e pushtetit
të Hyjit: shterpësia, pavarësisht nga mosha e shtyrë, u shndërrua në pjellori. Elizabeta,
duke pritur Marinë, shikon se po realizohet premtimi, që Hyji i kishte bërë njerëzimit,
prandaj brohoret: “Bekuar je mbi gjithë gra e i bekuar fryti i barkut tënd!”. Prej
këndej, ftesa e Benediktit XVI: “Të lutemi, që të gjithë njerëzit ta kërkojnë
Zotin, duke zbuluar se është vetë Zoti ai, që vjen të na vizitojë i pari”. Të
shkojmë tek Zoti, që vjen, me gëzimin e Marisë, kur vrapoi tek Elizabeta.
Pas
lutjes mariane, përshndetjet në gjuhë të ndryshme. Në polonisht Papa iu drejtua
posaçërisht të vetmuarve, të sëmurëve, njerëzve, që duhet të përballojnë vështirësi
të rënda në jetë, për t’u uruar paqe, përzemërsi, dashuri; të gjithëve, shpresë, falje
e pajtim. Në gjuhën frënge Benedikti XVI ripohoi se Mishërimi i Krishtit është
zemra e fesë sonë. Në anglisht, bëri thirrje të hapen zemrat, për të hyrë Zoti,
që vjen. Spanjisht, inkurajimi për ta ndarë me të gjithë, gëzimin e Krishtlindjes. Italisht,
urimi drejtuar të gjithëve: “Uroj të diele të gëzuar e shumë paqe për Krishtlindjen
e afërt”.