Më 23 dhjetor kalendari kujton shën Gjonin e Ketit
Më 23 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit, meshtar. Gjoni, meshtar
e teolog , i lindur në Keti apo Kanc të Polonisë në vitin 1390, qe mësues e model
për brezni të tëra meshtarësh. Shërbeu si famullitar në Olkuz. Shpirti i lutjes e
i pendesës, dashuria e tij e pashtershme për të gjithë e, posaçërisht, për të varfrit,
i japin një vend të dalluar në shekullin e madh të shenjtorëve në Poloni”. Kështu
shkruhet në ‘Mesharin Romak’ për Shën Gjonin e Ketit Ndërsa në ‘Martiriologun
Romak’ lexojmë: “Shën Gjoni nga Keti, meshtar, pas shugurimit dha mësim për shumë
vjet në Universitetin e Krakovisë. Më pas u ngarkua me detyrën e kujdesit baritor
në famullinë e Olkuzit, ku u shqua për virtytin e dëshmisë së një feje të thellë,
duke u bërë kështu për bashkëpunëtorët e dishepujt e tij, model dashurie e bamirësie
ndaj të afërmit”. Mjaftojnë dy ngjarje të vogla nga jeta e Shenjtit, për ta kuptuar
përvujtërinë e, njëkohësisht edhe mprehtësinë e tij të jashtëzakonshme: Së pari
kujtojmë se shtegtoi katër herë në Romë, duke e bërë gjithë rrugën, shkuarje e ardhje,
në këmbë. Së dyti, kur ishte profesor i mirënjohur i katedrës së famshme të Universitetit
të Krakovisë, prej nga do të fliste shumë më vonë edhe Karol Vojtila, një ditë u nis
për të marr pjesë në një gosti, ku ishte ftuar, i veshur me rroba të vjetra. Shërbëtori
nuk e la të hynte. Iu desh, atëherë, të shkonte e të ndërronte rrobat e të rikthehej
në pallatin ku jepej pritja. E lanë menjëherë të hynte por, gjatë darkës, një kamerier
i pakujdesshëm, i derdhi një gotë verë mbi rrobat e reja. Gjoni qeshi e tha: “Është
e drejtë që edhe petku im të ketë pjesën e vet, sepse falë tij munda të hyj në këtë
vend”. Vdiq në Krakovi të Polonisë natën e Krishtlindjes të vitit 1473.