2012-12-21 16:35:58

Mesazhi i Krishtlindjes i Patrikut Tual: shpresa të reja, pas njohjes së Shtetit palestinez.


Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, mbajti dje konferencën tradicionale të shtypit, për paraqitjen e mesazhit të Krishtlindjes. Bëri bilancin e gjithë vitit 2012, duke nënvizuar dritat, por edhe hijet: ndër këto të fundit, kujtoi vijimin e embargos kundër popullsisë civile të Gazës. Por, ta dëgjojmë vetë imzot Tual, nga Jeruzalemi:
Përgjigje: - Mesazhi është një lloj sinteze për gjithçka jetuam gjatë vitit të kaluar. Ka aspekte pozitive, si për shembull vizita e Atit të Shenjtë në Liban, takimi i Tij me të gjithë patrikët. Pastaj ekumenizmi, që është fuqizuar, prania jonë në Kairo, për fronëzimin e patrikut të ri. Kujtojmë edhe vizitën e Patrikut rus, Kirill.Pozitive, të gjitha këto. Por vërejmë edhe një farë rizgjimi të fanatizmit fetar, si mysliman, ashtu edhe hebraik, me sulme mbi vendet e shenjta, të cilat i kemi denoncuar. Për këtë Krishtlindje shpresojmë një rizgjim në kuptimin më pozitiv të fjalës. Pa harruar edhe lajmin e mirë të njohjes së Palestinës si shtet vëzhgues në OKB: ky ishte një çast gëzimi për të gjithë banorët, myslimanë e të krishterë. Shpresojmë se gjithçka do të përfundojë me sukses, ndonëse jemi vetëm në fillim! Një gjë ka rëndësi: nuk duam ta ndjejmë veten vetëm në Tokën Shenjte: kërkojmë solidaritetin e gjithë të krishterëve, në Evropë e kudo!







All the contents on this site are copyrighted ©.