2012-12-21 15:32:41

Atë Kantalamesa: të krishterët ta ungjillëzojnë botën me gëzimin e fesë.


Bota duhet ungjillëzuar me gëzimin e krishterë: me atë gëzim, në të cilin ndjehet fort shpresa, besimi, kuptimi: dhurata, që vijnë nga Hyji. E pohoi sot paradite, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa, në predikimin e tretë e përfundimtar të Kohës së Ardhjes, mbajtur në praninë e Papës e të Kuries Romake:
“Gëzimi i krishterë është shpirtëror; nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Është si liqenet malore, të cilat nuk ushqehen nga ndonjë lumë, që derdhet nga jashtë, por nga një gurrë, që buron e kristaltë prej fundeve të ujit. Lind nga veprimi misterioz e aktual i Hyjit, në zemër të njeriut, që gëzon hirin e tij. Është fryt i shpirtit e gjen shprehjen e vet në paqen e zemrës, në aftësinë për të kuptuar, në zotësinë për të dashur e për t’u dashur e, në mënyrë të posaçme, në shpresën, pa të cilën nuk mund të ketë gëzim”.
Po si mund ta pushtojë një gëzim i tillë Kishën sot:
“Në se Kisha sot dëshiron të rigjejë, në mes të anktheve e turbullimeve, që nuk e lënë të qetë, rrugët e guximit e të gëzimit, duhet t’i hapë mirë sytë e të shikojë se Zoti vijon të veprojë në të, sot! Thua i mbyllim sytë, duke bërë kështu, përballë plagëve të shumta, nga të cilat vuan sot Kisha? E edhe përballë tradhtisë së shumë shërbëtorëve të saj? Jo, por me që bota e mjetet e komunikimit nuk e vënë në dukje këtë aspekt, është mirë t’i hapim sytë e të shikojmë edhe anën e ndritshme të Kishës”.
E drita është, vërejti atë Kantalamesa, ndonëse janë edhe ata që, siç lexohej në një sllogan shkruar mbi autobusët londinezë ndonjë vit më parë, mendojnë se Zoti ka shumë mundësi të mos ekzistojë aspak. Prej këndej, thirrja: “Mos u shqetëso fare e gëzoje jetën me fund!”.
Po Zoti nuk të pengon ta shijosh gëzimin, Zoti nuk është armik i jetës. E gabuar, prandaj, të mendosh se pa Të, jeta do të ishte më e gëzuar. Duhet t’i japim përgjigje kësaj hamendjeje boshe, që i mban larg fesë posaçërisht të rinjtë. Përdorimi i drogës, shpërdorimi i seksit, dhuna vrasëse, për një çast të krijojnë kënaqësi, por pastaj çojnë, pa asnjë dyshim, drejt shkatërrimit moral e shpesh, edhe fizik të njeriut. Krishti na e ka shpjeguar lidhjen ndërmjet kënaqësisë e dhimbjes. Ai, në vend të gëzimit, që e pati para sysh e mjaftonte të zgjaste dorën për ta bërë të vetin, zgjodhi kryqin. Nuk zgjodhi kënaqësinë, që përfundon me vuajtje, por vuajtjen, që të jep jetë e gëzim. Pa Zotin, jeta është ditë, që mbaron në natë, me Zotin, natë (nganjëherë tejet e errët), që mbaron me ditë, e me një ditë pa perëndim.







All the contents on this site are copyrighted ©.