Duke shfletuar kalendarin historik më 21 dhjetor, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së
françeskanit shqiptar Atë Justin Rrota. Atë Justin Rrota lindi më 17 shkurt 1889
në Shkodër e vdiq po në Shkodër më 21 dhjetor 1964. Mësimet e para i mori në Shkodër,
kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë. Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët
më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe
e të historiografisë tonë letrare. Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli
në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555
nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Atë Justin
Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër.
Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur
duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator.
Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli
i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër
botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve
Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Kontributi
i Atë Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të
sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen
dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai
qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don
Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe rregulltar
françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës,
gjithnjë për Fe e Atdhe. Ja diçka nga veprat e Justin Rrotës 1.Don
Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme, botuar
në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë
1941. 2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941,
n.3, faqe 76. 3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933. 5.Letratyra shqipe, Shkodër
1925, 1934, 1936, 1944. 6.Analizimi i rasave t'emnit, Shkodër 1931. 7.Sintaksi
i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944. 8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër
1936, Prishtinë 1968. 9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet,
Shkodër 1931, 1939. 10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945. Atë
Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si
dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat e fletoret e kohës si
Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim
janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë,
fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë).
Studime janë botuar edhe pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës. Vdiq
dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.