2012-12-20 14:24:48

Papa, të rinjve të Veprimit Katolik: kush kërkon Zotin gjen jetën, gëzimin, dashurinë dhe paqen


Shpesh njerëzit mendojnë se mund ta gjejnë vetë jetën, gëzimin, dashurinë, paqen, por është vetëm Zoti, që mund të na i dhurojë: kështu u tha Papa Benedikti XVI të rinjve të Veprimit Katolik, të cilët i priti në Vatikan për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Takim festiv e familjar, gjatë të cilit Ati i Shenjtë foli për njeriun, që kërkon gjithçka, pa e ditur se kërkon Zotin, autorin e vërtetë të jetës dhe të gëzimit. Pikërisht këtë vit, të rinjtë e Veprimit Katolik reflektuan mbi temën “Në kërkim të autorit”. Përmes Jezu Krishtit, u tha Papa, Hyji na jep atë gëzim, që na mbetet përgjithmonë:
“Mbajeni mend, të dashur miq: sa më shumë të mësoni si të hyni në dialog me Të, aq më shumë do të ndjeni kënaqësi në zemër e do ta kapërceni ndonjë trishtim të vogël, që nganjëherë, na shqetëson shpirtin”.
Njeriu kërkon dashurinë, por do ta gjejë vetëm në Zotin, autori i dashurisë. Nuk mund të jetojmë vetëm, të mbyllur në vetvete, pohoi Benedikti XVI:
“Të gjithë kemi nevojë të duam dikë e ta ndjejmë se dikush na pranon e na do. Ta ndjejmë që na duan, është e nevojshme për jetën, por është po aq e rëndësishme të jemi në gjendje t’i duam të tjerët, për ta bërë të bukur jetën e të gjithëve, edhe të bashkëmoshatarëve në situata të vështira. Jezusi na e ka bërë të dukshme, me jetën e Tij, se Zoti i do të gjithë, pa dallim, e dëshiron që të gjithë të jetojnë të lumtur”.
Për këtë, Papa kujtoi nismën e Veprimit Katolik për të ndihmuar konkretisht të rinjtë e pastrehë egjiptianë. Në fund të fundit, theksoi Ati i Shenjtë, njeriu kërkon paqen, për të cilën bota ka aq nevojë:
“Shpesh, njerëzit mendojnë se mund ta sjellin vetë paqen, por është e rëndësishme të kuptohet se vetëm Zoti mund të na dhurojë një paqe të vërtetë e të qëndrueshme. Nëse do të dimë ta dëgjojmë, nëse i hapim një vend në jetën tonë, Zoti e shkrin egoizmin, që shpesh i ndot marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe kombeve e, zgjon dëshirën e pajtimit, të faljes e të paqes, edhe në atë, që e ka zemrën gur”.
Kush kërkon Autorin e madh të jetës, të gëzimit, të dashurisë e të paqes, vërejti Benedikti XVI, do të zbulojë se ky Autor nuk është kurrë larg, madje, është krejt afër: “është Zoti që bëhet foshnjë në Jezu Krishtin!”







All the contents on this site are copyrighted ©.