Kardinali Sarah: “Në një botë, që ka nevojë për paqe, duhet të luftojmë kundër mjerimit”
“Why Poverty?”, “Pse varfëri?”: kjo është tema e fushatës së Bashkimit Radioteleviziv
Evropian, që ka filluar bashkë më Kohën e Ardhjes, në të gjitha vendet e kontinentit,
për të sensibilizuar opinionin publik për varfërinë në botë. Është gjendje, që e vuajnë
së paku një miliard vetë, por shpesh trajtohet si dytësore. Edhe radioja jonë, së
bashku me radiot dhe televizionet e vendeve evropiane, është impenjuar në këtë fushatë
me një sërë intervistash, reflektimesh e emisionesh. Sot, ftuam në mikrofonin tonë,
kryetarin e Këshillit Papnor “Cor Unum” - dikasteri i Atit të Shenjtë për bamirësinë
- kardinalin Robert Sarah. E pyetëm pse ekziston varfëria: Është e vështirë
t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse varfëria ka ekzistuar gjithmonë së bashku me
njerëzit. Mendoj se ajo shkaktohet nga njerëzit. Vërtet, nëse krijojmë gjendje si
lufta, natyrisht, krijojmë edhe varfëri. Nëse ndërtojmë një ambient të padrejtë, e
organizojmë ekonominë në mënyrë të tillë që të përfitojnë vetëm të pasurit, krijojmë
varfëri. Pra, varfëria është një realitet njerëzor, që do të ekzistojë gjithmonë,
por që nuk duhet parë vetëm negativisht. Më duket se varfëria ka edhe aspekte pozitive,
sepse na mëson si të jetojmë thjeshtë, pa pretendime, pa e mbushur jetën me gjëra
të panevojshme. Nga përvoja ime, shumë vende të varfëra kanë më shumë besim në jetën,
më shumë gëzim e hare se sa popujt, që kanë gjithçka. Prandaj, mendoj se në vend të
varfërisë, duhet luftuar mjerimi, pra gjendja e mungesës së gjithçkaje: e mungesës
së shtëpisë, së ushqimit, të shëndetit. Duhet ta kemi minimumin për të jetuar denjësisht,
si qenie njerëzore të ngjashme me Krijuesin. Vetë Jezusi ka thënë: “Lum të varfërit…”.
Në Ungjillin e Lukës, Jezusi thotë edhe: “Jam vojuar për t’u sjellë Lajmin e Mirë
të varfërve”, ndërsa Shën Pali thekson se “Krishti u bë i varfër për të na pasuruar
me varfërinë e Tij”. Në Enciklikën “Gaudium et Spes” shkruhet “shpirti i varfërisë
është lavdi dhe shenjë e Kishës së Krishtit”. Edhe ne rregulltarët bëjmë kushtin e
varfërisë, prandaj të mos e zhveshim varfërinë nga manteli i saj fetar e njerëzor,
pasi ajo është edhe realitet pozitiv. Mendoj se parrulla si “Të çrrënjosim varfërinë”,
apo “Ta zhdukim varfërinë” janë fyerje për të varfërit, sepse Jezu Krishti na ka thënë:
“Të varfërit do t’i keni me vete gjithmonë”. Por, duhet të punojmë të mos ekzistojë
më mjerimi. Hirësi, si i përgjigjet Kisha dramës së varfërisë e të mjerimit? Sipas
përvojës sime, misionarët kanë luftuar gjithnjë për t’i dhënë dinjitet njeriut, për
t’i siguruar ushqimin e shëndetin, përmes shkollave e mensave, duke i mësuar popujt
të prodhojnë më mirë. Kisha e bën këtë kudo: ngre shkolla, spitale, favorizon bujqësinë,
edukon e arsimon. Formë varfërie është edhe të mos kesh shkollë, të mos kesh mundësi
të edukosh shpirtin, pra t’i mësosh atij si të reflektojë, si t’i shohë gjërat në
mënyrë që të kontribuojë në përparimin e njeriut, në mirëqënien e tij të përgjithshme,
jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore. Si kryetar i “Cor Unum” keni dërguar
ndihmat e Papës për të dëmtuarit nga tërmeti në Haiti, për japonezët pas tsunamit
e kohët e fundit, edhe në Liban, ku ndodhen shumë refugjatë sirianë. Çfarë ju ka bërë
më shumë përshtypje nga këto takime? Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është
të shoh se çfarë presin njerëzit e të kuptoj se nuk duan vetëm ndihma materiale. Kur
isha në Liban, një grua, që nuk pyeti për ngjyrën time të lëkurës e as që u interesua
për origjinën time afrikane, pa tek unë vetëm njeriun e Zotit e më tha: “Na, merre
fëmijën tim. Është vetëm katër muajsh, shpëtoje!” Kjo grua myslimane, krejtësisht
e mbuluar, erdhi tek unë të derdhë lotë e të kërkojë ndihmë, sepse ishte prekur nga
mënyra me të cilën u trajtua, me respekt e dashuri… Dy muaj pasi u ktheva nga Japonia,
mbërriti letra e një zonje budiste, që më shkruante: “Kur ndodhi tsunami, me kaq shumë
viktima e dëme materiale, desha ta vras veten. Por, pasi ju dëgjova, pasi pashë se
hodhët lule në ujë për shpirtrat e të vdekurve, pasi ju dëgjova të luteshit për familjet
që vuajnë, hoqa dorë nga kjo ide”. Puna e “Kor Unum” nuk është vetëm shpërndarja e
ndihmave materiale, por edhe ngushëllimi, ndihma shpirtërore. Për mua, do të thotë
t’i kthesh dinjitetin një gruaje, ta trajtosh si njeri, që Zoti e do, e ta bësh të
vetëdijshme për këtë. Për mua, kjo vlen më shumë se të japësh miliona… Kur shoh varfërinë,
mjerimin, kushtet e jetesës, kjo më ndihmon edhe të lutem më mirë për botën, e cila
ka nevojë për paqe. Jemi ne, që krijojmë mjerim, me luftë, me shitjen e armëve, me
këtë strukturë ekonomike botërore, që nuk favorizon zhvillimin e popujve. Prandaj,
ne bëjmë punën tonë, por edhe lutemi, që bota ta pranojë urtinë e Zotit, për t’u bërë
më e mirë. Ai, që sjell një botë më të mirë, është Jezu Krishti, të cilin po e presim
të lindë, jo në Betlehem, por në zemrat tona, në familje, në institucionet politike
dhe ekonomike. Ai mund të ndryshojë gjithçka…