2012-12-19 15:14:01

Libri i Papës për fëmijërinë e Jezu Krishtit është tashmë një “bestseller”. Don Buks: bashkon zemrën me arsyen


“Fëmijëria e Jezusit”, libri i fundit i trilogjisë së Papës Benediktit XVI për Krishtin, është në librari prej disa javësh e po bëhet një ndër më të kërkuarit në të gjithë botën. Edhe ne të programit shqip të Radio Vatikanit, e kemi marrë si bazë për rubrikën “Krishtlindja me Papën”, të cilën ju ftojmë ta ndiqni çdo ditë. Çfarë mund të mësojmë nga libri i Atit të Shenjtë? Intervistuam për këtë, teologun italian don Nikola Buks, këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë:
Mendoj se frytet e leximit shihen në mundësinë për të bashkuar zemrën me arsyen, sepse Papa, me anë të këtij libri, na afron me të dyja këto përmasa dhe madje, ia atribuon figurës së Marisë, si grua me përshpirtëri të madhe, për të cilën zemra e arsyeja janë një dhe të pandashme. Pikërisht për këtë kemi nevojë, pasi mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë figurën e Jezusit. Papa shpjegon me stilin e një studiuesi të madh, që i bën të reflektojnë shumë ekzegjetë, njerëz të Kishës e laikë, për mënyrën si duhet ndihmuar kjo botë për t’iu afruar Shkrimit Shenjt. Benedikti XVI përdor një gjuhë të kultivuar, por edhe të thjeshtë, duke paraqitur kështu mënyrën si duhet argumentuar për fenë sot. Përhapja e Ungjillit varet nga aftësia mbrojtëse e atij, që e dëshmon. Nëse kam argumente, mund ta përhap Ungjillin, nëse jo, si mund ta përhap? Mendoj se teologjia e sotme ka humbur arsyet e saj apologjetike, siç quhen nga greqishtja, pra, nuk është më në gjendje të japë arsyet e fesë. Papa di ta bëjë këtë, me një stil jo retorik, si në debatet e mëdha akademike mesjetare, që duhet t’i rizbulojmë. Si brenda, ashtu edhe jashtë Kishës, duhet të kemi guxim për të diskutuar. Kush ka argumentet më bindëse, do të fitojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.