2012-12-18 15:09:39

Sekretari Shtetit të Vatikanit viziton spitalin ‘Bambin Gesù’: të mbrohet fëmijëria, kurrë më masakër si ajo në Newtown


Fëmijët kanë nevojë për gëzim e siguri: këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone, gjatë vizitës së sotme në Spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ (Jezusi Fëmijë) të Romës, me rastin e urimeve të Krishtlindjes. Kardinali Bertone solli urimet dhe bekimin e Papës që, tha ai, “ndjek me vëmendje” veprimtarinë e këtij spitali të Selisë së Shenjtë. Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi masakrën e shkollës së Newtown në Connecticut, dhe kërkoi nga ana e autoriteteve “masa efikase për mbrojtjen e fëmijëve”. “Fëmijët, tha akoma kardinali – “kanë nevojë të shijojnë gëzimin e sigurinë, duke u nisur nga mjedisi familjar”. “Fëmijët kanë nevojë të gjejnë përgjigjen e shumë pikëpyetjeve të tyre”. E shtoi: ekziston “një dije e një kuptim që përjetohet përmes takimit tonë me vuajtjen, e kjo është mësim jete që ne të rriturit duhet të dimë t’u transmetojmë fëmijëve e të rinjve”. Kardinali Bertone falënderoi të gjithë për “veprimtarinë e tyre të zellshme profesionale” dhe uroi të “dimë të kapërcejnë çdo egoizëm, që gjendet në njeriun e vjetër brenda nesh, e të jetojmë në të vërtetën e kohës së re të përuruar me lindjen e Shëlbuesit”, Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.