Më 18 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Malakinë Profet.
Libri i Malakisë mbyll serinë e profetëve të Besëlidhjes së Vjetër. Simbolike versetet
e fundit, që flasin për një lajmëtar të Zotit, të dërguar për të rivendosur marrëdhëniet
e drejta ndërmjet Zotit e popullit të vet. Është profeci mesianike, që lind nga zemra
e historisë së Izraelit e nuk kufizohet ndër rrethanat, në të cilat lindi. Malakia
jetoi e profetizoi disa dhjetëvjeçarë pas ngritjes të tempullit, që u krye së ndërtuari
në vitin 520 para Krishtit, pas kthimit të izraelitëve nga mërgimi. Në këtë kohë kishin
profetizuar e kishin bërë ftesë për të shikuar përpara profetët Agjeu e Zakaria. Por
shpesh të krijohet përshtypja se rindërtimit të ritit templar i mungon shpirti: kremtimi
i dashurisë së Zotit, që vepron në histori. Zëri i Malakisë ngrihet për të denoncuar
shpërfilljen dhe kujdesin thjeshtë për anët e jashtme, largimin nga Hyji e padrejtësinë.
Profeti shenjt e kërkon rrugëzgjidhjen në përgatitjen shpirtërore për takimin me Zotin,
mesazh ky që tingëllon tepër aktual në Kohën e Ardhjes. Kujtojmë se Shën Malakia
është i fundmi i profetëve të vegjël të Biblës, të cilët hebrenjtë, pikërisht për
këtë arsye, i quajnë “Vula e profetëve”. Shumë pak dihet për jetën e tij. Dihet me
siguri vetëm se ishte nga fisi i Zabulonit, se lindi në Sofa e se jetoi pas mërgimit
babilonez (538 para Krishtit), gjatë pushtimit persian. Megjithatë nuk mund të përcaktohet
me siguri në se profecitë e tij janë bërë para, njëkohësisht apo pas kthimit të Ezdrës
në Palestinë. Kujtojmë se Ezdra qe prift hebre, kodifikues i judaizmit në shekujt
V-IV para Krishtit. Duke u nisur nga fakti se në librat e Besëlidhjes së Vjetër,
shkruar nga Ezdra e Nehemia nuk flitet për Malakinë, mund të arrijmë në përfundim
se ai jetoi pas tyre, ndoshta ndërmjet viteve 519 e 425 para Krishtit. Libri i
Malakisë trajton probleme morale, që lidhen me bashkësinë hebraike, kthyer nga internimi
në Babiloni, të cilën e qorton rëndë për ankimet kundër Provanisë Hyjnore dhe e nxit
të pendohet. Ai vë në dukje në mënyrë të posaçme ‘zgjedhjen e Izraelit’, gjë që nuk
është thjeshtë privilegj nga ana e Hyjit, por përfshin edhe detyrime, si çdo dhuratë
hyjnore. Prandaj profeti qorton priftërinjtë që e lënë pas dore dhe e fyejnë dinjitetin
e Jahveh, duke mos i kryer si duhet shërbimet e kultit. Vijon, më pas, të dënojë martesat
e përziera, në sa mbron pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore. Libri mbyllet me një
vegim eskatologjik, që kujton mbarimin e jetës tokësore, fundin e botës e ardhjen
e lajmëtarit të Hyjit, që do të përzgjedhë të mirët në gjirin e popullit të vet; në
këtë profeci mund të shëmbëllejmë ardhjen e Gjon Pagëzuesit.