Terror në SHBA-të. Obama: “Nuk po bëjmë sa duhet për sigurinë e fëmijëve”
SHBA-të nuk e kanë marrë akoma veten nga tmerri, që u panë sytë në shkollën e Njutaunit,
në Konektikat, ku dje shkoi edhe presidenti Barak Obama. “Nuk po bëjmë sa duhet për
sigurinë e fëmijëve”, tha Obama gjatë lutjes ndërfetare për shpirtin e viktimave.
“Nuk mund t’i pranojmë këto ngjarje si të zakonshme”, nënvizoi ai në mes të lotëve
e të dhimbjes së të afërmve, të cilët i takoi privatisht. Kreu i Shtëpisë së Bardhë
theksoi se vetëm feja e dashuria mund ta ndihmojnë bashkësinë e vogël, që humbi 20
fëmijë e 6 të rritur, për ta kapërcyer trishtimin e pafund. Por, premtoi edhe se do
të bëjë ç’është e mundur për parandalimin e situatave të tilla. Ngjarja mbetet
edhe sot e pashpjegueshme. Nuk dihet pse vrasësi Adam Lanza hyri në shkollën fillore
e qëlloi kundër të gjithëve, pasi kishte vrarë të ëmën, në shtëpinë e së cilës mori
armët. Sapo mbërriti policia, ai vrau edhe veten. SHBA-të janë në zi për viktimat,
por nuk rreshtin së admiruari mësueset, që dhanë jetën për të shpëtuar nxënësit. Pikërisht
për këtë dëshmi të jashtëzakonshme, që tregon se edhe para kërcënimit të vdekjes,
dashuria, pra e mira, mund të fitojë mbi të keqen, të dëgjojmë sekretaren e Shoqatës
Italiane të Mësuesve Katolikë në Konektikat, Eleonora Mosti: Kur hyjmë në klasë,
marrim pjesë me përkushtim të madh edhe në jetën e fëmijëve, të nxënësve tanë. Është
një botë zemrash, historish, jetësh, që duam t’i mbrojmë. Prandaj, është e natyrshme
të bëjmë siç bëri njëra nga mësueset, që i quante nxënësit “16 engjëjt e saj të vegjël”,
e i mbrojti deri në fund, edhe me jetë. Kthehet pyetja, e ashtuquajtur “e
Aushvicit”, që secili prej nesh bën para situatave si kjo: ku ishte Zoti, në këtë
rast? Zotin?! …Ne e kemi braktisur Zotin e kjo masakër është rezultati. Jemi
ne, ata që e braktisim Hyjin se Ai nuk e bën këtë. Ja, edhe në këtë ngjarje, Zoti
ishte i pranishëm përmes aktit heroik të një mësueseje, që bëhet mjet në duart e Hyjit
të së mirës, përmes guximit të drejtoreshës e të mësueses tjetër, 27 vjeçare, që me
gjakftohtësi fshehu fëmijët nëpër dollape… Besoj se është Zoti, Ai që thotë gjithmonë
fjalën e fundit.