Papa takohet me Mahmoud Abbas: njohja e Palestinës nga OKB-ja, të inkurajojë paqen.
Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit,
Mahmoud Abbas, president i Autoritetit Palestinez. Më pas presidenti u takua edhe
me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, në praninë
e imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë
bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, u fol kryesisht
për rezolutën e kohëve të fundit, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës
së Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh Palestinën si Shtet vëzhgues jo anëtar në Organizatën
e lartpërmendur. U urua që kjo nismë të inkurajojë impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare
për zgjidhjen e drejtë e të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, që mund
të arrihet vetëm duke rifilluar, me mirëbesim, bisedimet ndërmjet palëve e duke i
respektuar të drejtat e të gjithëve. U fol, më pas, edhe për situatën në Rajon,
trazuar nga një mori konfliktesh, duke uruar të merret guximi për të ecur në rrugën
e pajtimit e të paqes. Nuk mungoi, në fund, kujtimi i kontributit, që japin bashkësitë
e krishtera për të mirën e përbashkët, në shoqërinë e Territoreve Palestineze si
dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.