2012-12-17 10:40:56

Papa: kush ka përgjegjësi duhet të jetë i ndershëm e të respektojë të tjerët


“Drejtësia kërkon të kapërcehet çekuilibri ndërmjet atyre që kanë pasuri të tepërt e atyre që u mungon e domosdoshmja”. Kështu tha Papa Benedikti XVI në fjalimin e shkurt shqiptuar para lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas vizitës bërë para dite në famullinë Kishtare të Shën Patrikut në Colle Prenestino në Romë. Duke ju drejtuar mase 40 mijë besimtarëve e shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Ratcinger përmendi porosinë e Gjon Pagëzuesit, që u kujtua nga Ungjilli i kësaj së diele të 3-të të Ardhjes, i cili thotë: “Kush dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!”.
Sipas Papës, në fjalët e ‘pararendësit’ të Jezusit që sjell Ungjilli “mund të shohim kriterin e drejtësisë, të frymëzuar nga dashamirësia e dashuria”. “Dashuria – shpjegoi Ati i Shenjtë – na shtyn të jemi të vëmendshëm ndaj tjetrit e të t’i dalim në ndihmë atij që është në nevojë, në vend që të gjejmë justifiko për të mbrojtur interesat personale”. “Drejtësia e dashuria – nënvizoi Papa – nuk janë në kundërshtim, por të dyja janë të domosdoshme e përplotësohen njëra me tjetrën”. Lidhur me këtë Benedikti XVI së fundi citoi enciklikën e vet të parë: “dashuria gjithmonë do të jenë e nevojshme, edhe në shoqëri më të drejtë”, sepse “gjithmonë do të ketë situata që kanë kërkesa e nevojë materiale në të cilat është e domosdoshme ndihma si shprehje e një dashurie konkrete për të afërmin apo tjetrin”.
“Kthimi i zemrave drejt Zotit fillon nga ndershmëria e nga respektimi i tjetrit: ky udhëzim vlen për të gjithë, posaçërisht për atë që ka përgjegjësi më të madhe”. Kështu pohoi Benedikti XVI gjatë lutjes së mesditës të Engjëllit të Tënzot në Vatikan. “Punët do të shkonin shumë më mirë sikur çdonjëri do t’i zbatonte këto rregullore në sjellje të përditshme”.
“Udhëzimet e Gjon Pagëzuesit – për çka foli Ungjilli i kësaj së diele – janë përherë aktuale: edhe në botën tonë kaq të ndërlikuar, gjërat do të ecin shumë më mirë, nëse i përmbahemi këtyre këshillave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.