2012-12-17 14:24:18

Mesha e kardinalit Sandri në Kirkuk të Irakut: “Krishti është shpresa jonë e vetme”


Të shtunën, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, me një meshë solemne, rihapi për besimtarët katedralen kalde të Kirkukut në Irak. Pikërisht në kishën kushtuar Zojës Ndihmëtare, më 31 tetor 2010, gjatë një masakre kryer nga një grup i organizatës terroriste Al Kaida, humbën jetën 50 të krishterë dhe dy meshtarë. Kardinali Sandri i çoi bashkësisë kalde bekimin apostolik të Papës, i cili, nënvizoi ai gjatë homelisë, “më ka ngarkuar t’ju përshëndes nga ana e tij e t’ju jap guxim me dashurinë e Krishtit, shpresa jonë e vetme”.
“Mos ndodhtë kurrë – tha prelati – që për shkak të mungesave materiale e personale, për shkak të luftës, të varfërisë, të emigracionit, ta humbasim shpresën!... Kisha juaj, që nga zanafilla, ka pësuar jo pak persekutime e martirizim, gjithnjë e mbështetur nga shembuj të mrekullueshëm shenjtërie e doktrine. E themeluar nga vetë apostujt, është ushqyer nga gjaku i tyre e nga ai i dishepujve të parë… Toka e asirëve – vazhdoi kardinali Sandri – e babilonezëve dhe e kaldejve, popuj biblikë që larguan me forcë Izraelin e Judën, si për të dashur ta prishnin dialogun e Zotit me popullin e vet, u bë objektivi i premtimeve të Hyjit të Besëlidhjes për ata që i mbetën besnikë”.
“Në kombin tuaj të shpërfytyruar e të plagosur – pohoi prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore – të krishterët janë sot një grigjë e vogël. Zoti ju bën thirrje të mos kini frikë, por të merrni jetë nga burimi i Hirit, që na është dhënë me Jezu Krishtin… Vetëm duke e lejuar ta risojë çdo ditë njeriun nga brenda, mund të kapërcejmë së bashku shkretëtirat e vështirësitë e historisë… Vetëm duke u ushqyer me Bukën e Bamirësisë e të Dashurisë – përfundoi kardinali Sandri – mund të sjellim dëshminë e vërtetë të krishterë në shoqërinë e përshkuar nga mijëra tensione e nga lufta për pushtet”.
Fatkeqësisht, gjendja në Irak i vërteton fjalët e fundit të kardinalit. Në një seri atentatesh, në prag të përvjetorit të tërheqjes së forcave ushtarake amerikane, u vranë së paku 25 vetë, ndër të cilët 16 civilë dhe, u plagosën 66 të tjerë, përfshirë dhjetë shtegtarë iranianë. Edhe dje, në episode të ndryshme të dhunshme, u vranë 19 vetë dhe u plagosën 77 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.