2012-12-17 16:57:09

Mesha e Benediktit XVI në famullinë e Shën Patrikut: të praktikohet drejtësia, në përgatitje të takimit me Dashurinë.


Duhet ndryshuar mënyra e të jetuarit, të praktikohet solidariteti e drejtësia, që të përgatitemi për ta mirëpritur dashurinë e Hyjit: është kjo, ftesa që bëri dje Benedikti XVI gjatë Meshës të së Dielës III të Kohës së Ardhjes, kryesuar në famullinë romake të Shën Patrikut.
Është një famulli në rrethinat lindore të Romës, që vuan nga mungesa e strukturave dhe e shërbimeve shoqërore të zonës e që është bërë qendër e vërtetë grumbullimi shoqëror e shpirtëror. Jeni Kishë e gjallë, pohoi Papa, i cili ishte veshur me kazulën e kuqe të së Dielës, që përshkohet nga thirrja “Gëzohuni”, me të cilën liturgjia i fton besimtarët për gëzim, duke u kujtuar se nuk duhet të jetojnë një fe intimiste, por ta përhapin konkretisht lumturinë e dhuruar nga Zoti:
“Kush i pranon dhuratat e Zotit si egoist, nuk mund ta gjejë gëzimin e vërtetë; ndërsa kush i shfrytëzon këto dhurata si rast për ta dashur me mirënjohje të sinqertë e për t’u komunikuar edhe të tjerëve dashurinë e Tij, ky e ka me të vërtetë zemrën përplot me gëzim”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI e, në vijim, u kujtoi besimtarëve se vetëm mëkati na largon nga Zoti:
“Por, edhe kur largohemi, Ai vijon të na dojë e të jetë pranë nesh me mëshirë e gatishmëri, për të na falur e për të na e dhuruar përsëri dashurinë e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.