2012-12-17 14:23:19

Krishtlindja me Papën: “ Koha dhe vendi i lindjes së Jezusit nuk janë mitike!”


Në qendër të vëmendjes, në pjesën e 11-të të rubrikës sonë radiofonike “Krishtlindja me Papën”, është tema “ Koha dhe vendi i lindjes së Jezusit nuk janë mitike!”. Në emisionin e kaluar në pjesën e 10-të të kësaj rubrike tonë ishin Betlehemi, vendlindja e Jezusit dhe regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë së Perandorisë romake, nën sundimin e Cesar Augustit. Pyetja e parë “kur u krye regjistrimi?’, që e bënë shumë dijetarë, u sqarua lehtë: “Regjistrimi u bë në kohën e Herodit të Madh, i cili vdiq në vitin 4 para Krishtit, dhe të pasardhësve të tij. Fillimi i llogaritjes së kohës para e mbas Krishtit, zë fill me murgun Dionisi i Vogël (vdekur rreth vitit 550), i cili gaboi shumë pak në llogaritje, duke e caktuar datën e lindjes së Jezusit ndonjë vit më vonë.
Polemika të shumta lindën për dy data të tjera. Sipas Jozef Flavios, studiues i shquar i historisë judaike të kohës së Jezusit, regjistrimi u bë në vitin 6 pas Krishtit, nën qeveritarin Kuirini e, me që ishte fjala për vjelje taksash, pra çështje parash, i dha shkas shpërthimit të disa kryengritjeve në Galilé (Cfr Vap 5,37). Veç kësaj, sipas të njëjtit studiues, Kuirini duhet të ketë qenë aktiv në mjedisin siriako-judaik vetëm në këtë periudhë, e jo më parë. Por këto fakte nuk na bindin plotësisht, mbasi ka të dhëna, sipas të cilave Kuirini qe dërguar nga Perandori në Siri, me detyra të ndryshme, që në vitin 9 para Krishtit. Prej këndej, na duken më bindëse shpjegimet e disa studiuesve të tjerë, si për shembull Alois Stöger, sipas të cilëve regjistrimi, në rrethanat e asokohshme, zgjaste me vite të tëra. Pastaj duhet kujtuar edhe se ky regjistrim u realizua në dy etapa: së pari, u regjistruan pasuritë e patundshme; së dyti, u caktua sasia e taksave, që duheshin paguar.
Jezusi lindi pikërisht në etapën e parë; e dyta qe shumë më e trazuar, gjithnjë e ngarkuar me kryengritje.
Së fundi vërehet edhe se për pagesën e taksave nuk do të ishte e nevojshme që njerëzia të lëvizte nga vendbanimi. Ndërsa për regjistrimin e pronave, po. Prej këndej, hamendësohet se Jozefi, pinjoll i shtëpisë së Davidit, duhet të kishte toka në Betlehem, prej këndej, duhet të ishte atje, kur të regjistroheshin pronat. Gjithsesi nuk është aspak e lehtë të hyjmë në të përditshmen e një organizmi kaq të largët nga ne e kaq të ndërlikuar, siç ishte Perandoria Romake.
Rrëfimi i Lukës mbetet më i besueshmi, sepse i bazuar mbi kërkime tejet të kujdesshme. Pa harruar edhe se ai ishte shumë më pranë burimeve e ngjarjeve, sesa jemi ne sot, pavarësisht nga arritjet e mëdha në fushën e historisë. Duke e lidhur lindjen e Jezusit me perandorin August, Luka, me vetëdije, krijoi kuadrin historik e njëherësh, edhe teologjik, për ngjarjen, që përgatitej të tregonte në Ungjillin e tij. Shkruan ungjilltari: “Në atë kohë Cesar Augusti shpalli një dekret-ligj, sipas të cilit do të regjistroheshin mbarë banorët e perandorisë. Ky regjistrim i parë u bë në kohën kur Kuirini ishte zëvendës-perandor në Siri” (Lk. 1,3).
Por epoka kur lindi Jezusi, mund të përcaktohet edhe duke u nisur nga predikimi i tij i parë publik, kohë, të cilën Luka e shënoi me kujdes e saktësi të padiskutueshme. Ishte viti i pesëmbëdhjetë i Perandorisë së Cesar Tiberit, kur Ponci Pilat sundonte Judenë e Herodi ishte tetrark i Galilesë, ndërsa Filipi, i vëllai, tetrark i Ituresë e i krahinës së Trakonitides, e Lisna, tetrark i Abilenës, nën kryepriftërinjtë Ana e Kajfa”(Lk 3,1).
Me rëndësi, edhe një element tjetër. Urdhëri i Augustit për regjistrimin tatimor të të gjithë banorëve të ecumene-s, e detyron Jozefin, bashkë më fatin e tij, Marinë, të shkojë në Betlehem, qytet i Davidit, duke i shërbyer, kështu, përmbushjes së premtimit, që Hyji e vuri në gojën e Mikesë Profet, sipas të cilit Bariu i Izraelit do të lindte pikërisht në këtë qytet:
“E ti, Betlehem i Èfrata, më i vogli ndër fise të Judës:
Prej teje do të dalë ai,
të cilit do t’i përkasë sundimi i Izraelit.
Prejardhja e tij është e lashtë
zë fill që prej ditëve të largëta” (cfr. Mikea, 5,1-3).
Pa e ditur fare, perandori ndihmon në përmbushjen e premtimit: historia e Perandorisë romake dhe historia e shëlbimit, që Hyji e nisi me Izraelin, depërtojnë tek njëra-tjetra. Historia e popullit të zgjedhur nga Zoti, e kufizuar vetëm në Izrael, hyn në hapësirat e pakufizuara të botës, në historinë universale. Hyji, tashmë Zoti i Izraelit edhe i gjithë popujve, i prin, si udhëheqës i vërtetë, mbarë historisë njerëzore.
Arrijmë, kështu, në përfundimin se koha dhe vendi i lindjes së Jezusit nuk janë mitike!
Jezusi nuk lindi, as u duk në publik në ‘një herë e një kohën” e papërcaktuar të mitit. Ai i përket një kohe, që mund të datohet me saktësinë më të madhe dhe një mjedisi gjeografik, të përshkruar saktësisht. Në Të Logos (Fjala), Arsyeja krijuese e të gjitha sendeve, hyri në botë. Fjala e mishëruar u bë njeri, e kësaj ngjarjeje i përkasin edhe rrethanat e vendit e të kohës. Feja lidhet me këtë realitet konkret, edhe pse pastaj, për virtyt të Ngjalljes, hapësira kohore e gjeografike kapërcehet e ‘Zoti, që shkon para Apostujve në Galile’ (Mt 28,7), na prin në pafundësinë e hapur të mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.