Zëvendës kryeministri kosovar dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka zhvilluar
sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Michele Giffoni,
i cili prezantoi draft-marrëveshjet përfundimtare në fushën e bashkëpunimit juridik
ndërkombëtar, të cilat në nivel të dy grupeve të ekspertëve janë finalizuar dhe përafruar
në muajin shtator. Qeveria e Republikës së Italisë ka dhënë pëlqimin për t'u proceduar
më tej për nënshkrim në përkim me dispozitat ligjore të Shtetit italian, pasi janë
përgatitur nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Italisë. Këto Marrëveshje
pritet shumë shpejt të nënshkruhen nga dy ministrat e Drejtësisë dhe pas kësaj të
hyjnë në fuqi, njofton Ministria kosovare. Në këtë takim, gjithashtu u diskutua
për sundimin e ligjit, ku të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që sundimi i ligjit duhet
të jetë sa me efikas dhe ky efikasitet të ketë ndikim shumëdimensional, sidomos në
tërheqjen dhe ruajtjen e investimeve të huaja. Ministri Kuçi premtoi që do të përdoren
të gjithë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për ta bërë sa me efikas sundimin
e ligjit. Bashkëbiseduesit u pajtuan në thellimin e bashkëpunimit edhe në çështje
tjera, bashkëpunim, i cili sipas tyre, tani gjendet në fazë të avancuar në nivel të
dy vendeve.