2012-12-17 16:16:29

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: lutem për viktimat e dhunës pa kuptim në shkollën amerikane.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu dhimbjen e tij të thellë për viktimat e dhunës pa pikën e kuptimit, në shkollën e Njutaun, në Konektikat, ku humbën jetën 27 vetë; ndërmjet tyre, 20 fëmijë. Papa theksoi se lutet e i lyp Zotit bekimin për të gjithë ata, që u goditën nga kjo tragjedi. Para fjalëve kushtuar masakrës në SHBA, Benedikti XVI foli kryesisht për Shën Gjon Pagëzuesin. Kthesa, theksoi, fillon nga ndershmëria e nga respekti për të tjerët. E, në fund, i nxiti besimtarët të mos i kundërvihen kurrë drejtësisë e dashurisë së krishterë, të dyja shumë të nevojshme.
Krishtlindja është afër, e edhe për këtë, tragjedia që tronditi thellë Amerikën, duket akoma më e tmerrshme. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa pohoi se u trishtua thellësisht nga lajmi i kësaj dhune pa kuptim, që u mori jetën shumë fëmijëve në shkollën e Connecticut, ku mësonin e rriteshin:
“I siguroj familjet e viktimave se lutem e ndjehem posaçërisht pranë prindërve, që humbën fëmijën”.
Më pas Papa iu lut Zotit të ngushëllimit t’i prekë zemrat e tyre e t’ua lehësojë dhimbjen.
Në Kohën e Ardhjes, shtoi, t’i kushtohemi me zell lutjes dhe veprave të paqes. E përfundoi duke i lypur Zotit bekime të begata për të gjithë ata, që u prekën nga kjo tragjedi.
Para fjalëve për masakrën në Newtown, Papa foli kryesisht për figurën e Shën Gjon Pagëzuesit, sipas Ungjillit të së dielës. U ndal sidomos tek dialogu i Gjonit me turmën, publikanët e ushtarët. Në dialogun e parë, vërejti Ati i Shenjtë, shohim qartë se drejtësia duhet të frymëzohet nga dashuria e krishterë:
Drejtësia kërkon të kapërcehet mungesa e drejtpeshimit ndërmjet atij që ka me tepri e atij, të cilit i mungon edhe kafshata e përditshme; dashuria e krishterë na shtyn të jemi të vëmendshëm ndaj tjetrit e ta ndihmojmë kur ka nevojë, në vend që të kërkojmë justifikime, vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat vetjake. Drejtësia e dashuria e krishterë nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, janë të dyja të nevojshme e plotësojnë njëra-tjetrën”.
Ndërsa publikanëve, siç quheshin tagrambledhësit e kohës, Gjon Pagëzuesi u kujton se nuk duhet të kërkojnë kurrë më tepër, se shumat e caktuara:
Profeti, në emër të Zotit, nuk u kërkon njerëzve të bëjnë gjeste të jashtëzakonshme; u kërkon vetëm ta kryejnë me nder detyrën e tyre. Hapi i parë kah jeta e pasosur është gjithnjë zbatimi i urdhërimeve; në këtë rast, urdhërimi i dhjetë i Tënzot: “Mos vidh!”.
Pastaj Gjoni u drejtohet ushtarëve, të cilëve u kërkon të mos e shpërdorojnë pushtetin e tyre:
“Edhe këtu biseda nis nga ndershmëria e respekti, që duhet pasur për të tjerët: porosi, që vlen për të gjithë, posaçërisht për ata, që kanë më shumë përgjegjësi”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën frënge, Papa i nxiti besimtarët ta jetojnë Vitin e Fesë me gëzim, në të gjitha fushat e jetës.
Polonisht përshëndeti Veprën “Ndihmë për fëmijët, në prag të Krishtlindjes” dhe uroi që kjo nismë t’i mbushë me gëzim zemrat e fëmijëve.
Një përshëndetje e veçantë, ajo që Papa u drejtoi përfaqësuesve të agjencisë së informacionit Zenit. E, në përfundim, thirrja lidhur me takimin evropian të Bashkësisë së Tezesë, që do të mbahet në Romë, nga 28 dhjetori, deri më 2 janar 2013: I falënderoj familjet që, sipas traditës romake të mikpritjes, u treguan të gatshme t’i ftojnë këta të rinj. E me që, faleminderit Zotit, kërkesat janë më të shumta, se ç’pritej, përsëris thirrjen, drejtuar tashmë nga famullitë, që familje të tjera, me thjeshtësinë më të madhe, ta jetojnë këtë përvojë miqësie të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.