Papa: Bredhi i Krishtlindjes është shenjë e dritës së Krishtit. Kush kërkon ta shuajë,
e bën botën më të errët.
Pavarësisht nga përpjekja për ta shlyer emrin e Zotit nga historia, drita e tij vijon
të shndrisë mbi njerëzimin, përmes Krishtit. E kujtoi sot paradite Benedikti XVI,
duke pritur në audiencë delegacionin e vendit të vogël molisan, Pescopenataro, i cili
sivjet i dhuroi Papës bredhin e festës, që tashmë nusëron, i veshur me stoli, në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan. Sot pasdite, në orën 16.30, në degët e blerta të bredhit
monumental, u ndezën qindra drita, gjatë një kremtimi, në praninë e imzot Giuseppe
Sciaca-s, sekretar i përgjithshëm i Governatoratit të Vatikanit. Sa herë që njeriu
ka dashur ta shuajë në botë, dritën që u ndez me Lindjen e Jezusit, rezultati ka qenë
errësira, e mbushur me tmerre. Ndezja e dritave në bredhin e Krishtlindjes, në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan, pranë Shpellës vigane të Betlehemit, në përfundim e sipër,
e nxiti Benediktin XVI të bëjë një reflektim plot dritë-hije. Me dritën verbuese të
Hyjit, që u bë njeri e erdhi për të davaritur të gjitha tipet e errësirave. Por edhe
me hijen e veprimtarisë së njerëzve, të cilët, në epoka të ndryshme, u përpoqën, e
përpiqen, ta shuajnë dritën e Zotit, për të krijuar vezullime të rreme e mashtruese,
duke i hapur udhën stinëve të dhunës së pashembullt të njeriut mbi njeriun: “E
kjo sepse, kur bëhen përpjekje për ta shlyer emrin e Hyjit nga faqet e historisë,
rezultati është krijimi i vijave të shtrembëra, ku edhe fjalët më të bukura e më të
fisme, e humbasin kuptimin e tyre të vërtetë. Të mendojmë për terma si ‘liria’, ‘pasuria
e përbashkët’, ‘drejtësia’: në se humbasin rrënjosjen në Hyjin e në dashurinë e Tij,
në atë Hyj, që e tregoi fytyrën e vet në Jezu Krishtin, këto realitete mbeten shpesh
nën pushtetin absolut të interesave njerëzore, humbasin çdo lidhje me të vërtetën
e me përgjegjësinë qytetare”. Shumë njerëz, në rrjedhë shekujsh, pohoi
Benedikti XVI, duke vijuar bisedën me banorët e ardhur nga lokaliteti i Pescopenataros,
pak më shumë se treqind frymë, prej nga vjen sivjet edhe bredhi i Krishtlindjes,
u përpoqën ta shlyejnë nga kujtesa historinë e dritës e të dashurisë, që nisi dymijë
vjet më parë, në Betlehem: “Kjo dritë, tejet e lartë, simbol e kujtesë e
së cilës është bredhi i Krishtlindjes, me kalimin e shekujve e të mijëvjeçarëve jo
vetëm që nuk u la mbanesh, por vijon të shkëlqejë mbi ne e të ndriçojë çdo njeri,
që vjen në botë, posaçërisht kur na duhet të kalojmë çaste të paqarta e të vështira,
që nuk mungojnë kurrë në udhën e jetës”. Papa i falënderoi miqtë për dhuratën
- një bredh i bardhë 24 metrash, druri i të cilit pastaj do të përdoret për qëllime
solidariteti - ofruar nga bashkësia molisane, kryesuar sot nga ipeshkvi i Isernias,
Domenico Scotti, dhe e shoqëroi gjestin me një urim, në përkim me Vitin e Fesë:
“Bredhi i bardhë, që më dhuruat, të dashur peskolanë e banorë të mbarë rajonit të
Molises, flet edhe për fenë e besimin e molisanëve. Është detyrë e secilit nga ju
dhe e gjithë bashkëvendasve ta shfrytëzojnë gjithnjë këtë pasuri e edhe ta shtojnë,
për të përballuar, kështu, urgjencat e reja shoqërore dhe sfidat e sotme kulturore,
duke ecur në hullinë e besnikërisë së përhershme e të frytshme të krishterimit”.