2012-12-14 18:20:27

Vizita baritore e Atit të Shenjtë në famullinë e Shën Patricit në Romë. Bekimi i foshnjeve të betlehemeve shtëpiake


Ditë e ngarkuar me veprimtari, e diela III e Kohës së Ardhjes për Papën Benedikti XVI, i cili paradite, do të shkojë për vizitë në famullinë e shën Patricit në lindje të Romës, në kodrën Prenestine, për t’u takuar me rreth 7 mijë banorët e zonës. Sipas traditës së filluar nga i Lumi Gjon Pali II, kryesisht në Kohën e Ardhjes dhe në atë të Krezhmëve, Papa, i cili është edhe ipeshkëv i Romës, shkon për t’u takuar me grigjën e vet.
Ati i Shenjtë pritet me padurim nga kjo famulli e re, e përuruar më 18 mars 2007, e cila do të mbledhë për këtë rast jo vetëm meshtarët e rregulltarët e krejt zonës, por sidomos besimtarët e në veçanti, të gjithë fëmijët e pagëzuar gjatë këtij viti, të shoqëruar nga prindërit. Papa do të kremtojë meshën në orën 10.00, pas së cilës do të përshëndesë të moshuarit dhe të sëmurët, për t’u kthyer në Vatikan në orën 12.00, për Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Kësaj së diele, dita kur fillon nëntëshja e Krishtlindjes, Benedikti XVI do të bekojë Foshnjet e Betlehemeve shtëpiake, të sjellura në sheshin e Shën Pjetrit nga fëmijët e Oratoriumeve Romake. Së bashku me shoqëruesit bëhen rreth 5 mijë vetë, të cilët do të krijojnë një atmosferë festive, plot zhurmë e gëzim. Para se të shkojnë në shesh për të takuar Atin e Shenjtë, fëmijët e të rinjtë do të marrin pjesë në meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit nga vikari i përgjithshëm i Papës për Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri.







All the contents on this site are copyrighted ©.